Partia Demokratike këmbëngul në akuzat e saj kundër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili sipas opozitës, në përpjekje për të mbuluar një krim, zbuloi një krim tjetër.

“Si pa të keq, ndoshta nën efektin e substancave trullosëse, Saimir Tahiri pranoi mbrëme në heshtje faktin se makina e tij private është përdorur nga Habilajt për transport droge, por ai nuk paska lidhje se e paskësh shitur makinën. Ministri i Brendshëm pranoi se Audi që kanë përdorur trafikantët për të pasur lehtësi në lëvizjet e tyre brenda vendit dhe në pikat kufitare, është makina e tij. Në një përpjekje të dëshpëruar për t’iu fshehur akuzave, Tahiri tha se e kishte shitur makinën. Por nëse e paskësh shitur, por s’ka as dokument dhe as kupon, atëherë është veprim në të zezë që dënohet me ligj”, deklaroi Ristani.

Demokratët deklarojnë se këto veprime të ministrit të Brendshëm janë një krim i dyfishtë.

“Pikërisht në kohën që qeveria e tij po i merr shpirtin të pamundurve me kërbaç në dorë, kur Tahiri arreston e rras në burg berberë pa kupon tatimorë, ky vetë paska shitur pa letra makinën e tij. Një krim i dyfishtë në sytë e të gjithë qytetarëve dhe para ligjit. I gjendur përballë akuzave të rënda të oficerëve të lartë të policisë si kumbar i bandave të drogës, Tahiri fsheh një krim, me një krim tjetër”, tha Ristani.

Opozita ripërsërit kërkesën për dorëheqje dhe hetim ndaj ministrit të Brendshëm

“Kjo bombë që i ka plasur në surrat Ramës ka për autor ministrin e tij të drogës dhe lidhjeve me bandat më të rrezikshme të drogës në vend. Saimir Tahiri duhet të largohet menjëherë, duhet të largohet tani nga zyra, dhe një hetim i plotë duhet të nisë pa humbur kohë”, u shpreh më tej Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Top Channel