Dule thërret në interpelancë Ramën për kishën e Dhërmiut

18/09/2015 13:20

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka depozituar në kryesinë e Kuvendit kërkesën për interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.

Depozitimi i kërkesës është bërë këtë të premte nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Kisha e Shën Thanasit u shemb më 26 gusht për t’i hapur rrugën rindërtimit të saj, siç ka qenë para shembjes prej regjimit komunist.

Ndërtesa e shembur, që shërbente si kishë për banorët e zonës, ishte ndërtuar mbi themelet e kishës së vjetër në vitin 1994 dhe nuk kishte marrë asnjë dokument legalizimi për këtë.

Qeveria thotë se shembja do t’i rihapë rrugën projektit për rindërtimin e kishës siç ka qenë fillimisht dhe që konsiderohet një objekt i trashëgimisë kulturore.

Më herët, PBDNJ e ka vlerësuar si akt vandal shembjen e kishës, ndërkohë që reagime pati edhe nga Greqia, reagim që solli kundërreagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, që e cilësoi deklaratën e palës greke si ndërhyrje në punët e brendshme.

Top Channel