Dekriminalizimi, PD: Projektligji i qeverisë, drafti ynë pa pikat kyçe

18/09/2015 13:30

“Kanë marrë ligjin e propozuar nga PD dhe kanë hequr ato gjëra që vërtet sot do t’i diskretitonin para publikut”. Ky është një përshkrim telegrafik që Partia Demokratike i bëri draftit të dorëzuar nga qeveria për procesin e dekriminalizimit.

Pikat ku ndryshojnë, sipas opozitës, i heqin thelbin qëllimit: largimin nga politika dhe administrata e personave me rekorde kriminale dhe moslejimin e kandidimit të tyre në të ardhmen.

“Rënia dakord në 95 për qind të ligjit është strukturë e padiskutueshme, por 5 përqindëshi, që është pika e gravitetit të ligjit, do të thotë që nuk ka konsensus në atë pikë dhe çdo tentativë për ta miratuar me votat e tyre është e qartë që është një farsë. Një ligj që nuk i kap këta kriminelë nuk iu duhet shqiptarëve”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi.

Duke krahasuar të dy draftet, Bylykbashi shpjegoi sesi disa pika të hequra nga drafti i opozitës mbajnë të inkriminuarit në Parlament dhe administratë. E para ka të bëjë me identitetin e shumëfishtë të një personi.

“Të tillë ka plot. Është rasti i deputeti Frroku që rezulton me 5 identitete, por ka dhe të tjerë. Këta persona nuk duhet të kenë mundësi të kandidojnë dhe instrumenti më i mirë janë gjurmët e gishtërinjve. E kanë hequr, sepse duan t’i shpëtojnë sot ose nesër këtij ligji. Kjo është një pikë e padiskutueshme. Përndryshe ligji nuk do të kishte as efektin e vaksinës”, nënvizoi Bylykbashi.

Demokratët kanë vërejtje thelbësore edhe për pikën e hequr nga drafti i tyre që ngarkon Prokurorinë e Përgjithshme me verifikimin e personave për rekorde kriminale, duke e lënë atë në vullnetin rastësor të titullarit të institucionit.

“Nëse drejtuesi i lartë, kryeministri, ministri apo kushdo tjetër, pavarësisht denoncimeve nuk do që ta bëjë verifikimin, vendos të mos e bëjë dhe ligji nuk funksionon. Kjo e kthen në fletërrufe dhe e kthen në një ligj kozmetik”, vijoi Bylykbashi.

Mes pikave të demokratëve që nuk janë në draftin e qeverisë është edhe testi i drogës për funksionarët më të lartë publikë, por ky nuk ishte tek pikat e panegociueshme të opozitës. Më shumë të rëndësishme për demokratët ‎janë mënyrat ligjore sesi do të arrihet dekriminalizimi, përfshirë marrjen e shenjave të gishtërinjve.

“Asnjë prej instrumentave që kemi parashikuar në këtë ligj për të gjetur kriminelët nuk është e tepërt‎. Është instrument i përditshëm ligjor që përdoret nga policia, prokuroria, gjykatat dhe çdo organ tjetër që ka për detyrë t’i gjejë kriminelët e jo t’i fshehë”, deklaroi deputeti Gent Strazimiri.

“Çdo instrument i nevojshëm për ta bërë këtë duhet të jetë patjetër në ligj. Do t’ia lëmë detajin e negocimit momentit të diskutimit, por për ne këto janë vija të kuqe të pakalaueshme”, theksoi më tej Bylykbashi.

Sipas opozitës, pavarësisht ndasive, gjjithçka është e mundur nëse kryeministri do të tregojë vullnet për t’i hapur dritën jeshile negocimit mes palëve.

“Megjithatë, le t’i japim kohën e nevojshme, që të kuptojë se duhet të kthehet. Koha e nevojshme është e shkurtër, ndërsa presioni i madh”, përfundoi Bylykbashi.

Top Channel