Durrës, pranga të riut që dhunoi mjekun

18/09/2015 13:35

I riu që dhunoi një nga mjekët e Urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit, është ndaluar nga shërbimet e policisë së këtij qyteti.

Specialistët për Krimet në komisariatin e Policisë Durrës, bënë ndalimin e 23-vjeçarit Jurgen Hoxha, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Më 22 gusht të këtij viti, 23-vjeçari goditi mjekun kirurg të Urgjencës, Anton Ndoj, pasi ai u kishte kërkuar të blinin në farmacitë jashtë spitalit një pajisje për familjarin e tyre të moshuar që i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

5 ditë më parë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për këtë person. Ngjarja shkaktoi reagimin e bluzave të bardha në Durrës, që thonë se ndjehen të rrezikuar nga agresiviteti i familjarëve të pacientëve.

Top Channel