Refugjatët drejt Kroacisë, çdo ditë me mijëra duan të kalojnë drejt BE-së

18/09/2015 14:00

Emigrantët sirianë kanë pasur fat për disa ditë pas konflikteve me autoritetet hungareze. Disa kanë arritur në Bashkimin Evropian pa përballje me forcat policore.

Në drejtim të Kroacisë autobusët tashmë e kanë mësuar rrugën se ku duhet të shkojnë. Ata nuk humbin shumë kohë dhe nisën menjëherë për të arritur në Kroaci.

Në këtë rrugëtim Ahmedi dhe Muhamedi, së bashku me një grup studentësh që kanë studiuar në Alepo, tash kërkojnë rrugën për në Kroaci.

Keni ardhur këtu nga Maqedonia?
 
“Ne kemi zgjedhur rrugën më të lehtë. Nëse nuk kemi problem në këtë shtet apo procedura, do të ecim tutje, por nëse ka problem do të marrin një rrugë tjetër. Hungari apo Austri, por duam të arrijmë në Vjenë. Më pas në Gjermani, Suedi apo Holandë”, përgjigjet Ahmedi.
 
Çfarë mendon për mbylljen e kufirit nga Hungaria?
 
“Mendoj se nuk është e drejtë. Greqia, Serbia apo Kroacia tani na ndihmojnë të kalojmë që të arrijmë ëndrrën tonë. Por, Hungaria nuk e di, ndoshta ata e urrejnë Islamin”, thotë Ahmedi.

“Shpresoj të arrij dhe ta takoj familjen time”, thotë Muhamedi.

Ku e ke familjen?

“Familja ime është në Berlin”, thotë ai.

Ka ngelur dikush në Siri?
 
“Po im atë, por do të vijë dhe ai”, përgjigjet Muhamedi.

Pas dy ditësh të gjithë refugjatët kanë gjetur shtegun e ri. Autoritetet kroate duket se megjithatë nuk kishin pritur përnjëherë mbi 10 mijë refugjatë dhe Sllovenia nuk dëshiron të lejojë kalimin e tyre për në zonat Schengen. Andaj kjo rrugë nuk dihet se si do të vazhdoj. Mijëra refugjatë arrijnë cdo ditë.

Top Channel