Casillas: Nuk pendohem për largimin nga Reali

18/09/2015 14:00

Iker Casillas nuk është penduar për largimin e tij nga Reali i Madridit. Portieri i përfaqësueses spanjolle në verën e këtij viti u transferua te skuadra e Portos pas një sërë problemesh që ai pati te klubi “merengue” në sezonet e fundit.

Drejtuesit e klubit madrilen, e sidomos presidenti Florentino Perez, u kritikuan shumë në media për faktin se e kishin lënë vetëm Casillas në konferencën e shtypit, ditën kur ai bëri të ditur largimin e tij nga kryeqyteti spanjoll. E gjithë historia e përplasjes mes Casillas dhe Realit nisi në momentin kur në pankinën e spanjollëve ishte Mourinho, i cili në disa momente e kishte akuzuar simbolin e Realit për nxjerrje të bisedave të zhvilluara në dhomat e zhveshjes në media. Por Casillas duket se ka lënë pas krahëve gjithçka.

“Nuk më intereson fakti që më kanë quajtur spiun. Nuk do të flas kurrë keq për Realin apo presidentin e tij. Janë thënë shumë gjëra në momentin kur Mourinho vendosi të më lërë në stol. Në atë kohë preferova të qëndroja në heshtje sespse nuk doja të dëmtoja skuadrën time. Kishte të tjerë që kishin folur për mua,  gjithsesi nuk jam penduar për asgjë. Kjo ishte lamtumira ime, as më pak e as më shumë. Nuk dua të bëj krahasime me askënd tjetër“, tha Casillas.

Top Channel