Dekriminalizimi i politikës; Gjermania, një përvojë nga pastrimi prej nazistëve

18/09/2015 14:35

Dekriminalizimi i Parlamentit dhe i politikës në Shqipëri është çështje dite në Tiranë. Por nuk është një fenomen i panjohur dhe për perëndimin. Nëpër një eksperiencë të ngjashme, ndonëse në kontekst krejt tjetër, kaloi dhe Gjermania pas luftës së dytë botërore.

Deputetja socialdemokrate gjermane, Petra Ernstberger i shpjegoi Dojce Veles se çfarë ka ndodhur, kur Bundestagut, politikës dhe shoqërisë gjermane i është dashur të bëjë dhe ai këtë proces. Për Ernstberger, kjo është një çështje me interes shumë të madh për aktualitetin e politikës shqiptare, zgjidhja e së cilës përbën një sfidë qoftë për sistemin parlamentar, qoftë për zhvillimet e mëpasme të vendit dhe shoqërisë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani kemi pasur situata të tilla, ku janë identifikuar njerëz me të shkuar nacionalsocialiste, që kishin kryer edhe vepra penale e që kishin dëshirë të merrnin një pozicion në politikë apo në Parlament”, kujton ajo.

Por politika dhe shoqëria gjermane i identifikoi të tillë persona dhe ata u mbajtën larg jetës politike apo u hoqën nga pozicionet, ku kishin mbërritur. “Nëse shikoj situatën e sotme në Gjermani, ka njerëz që, edhe pse kanë kryer vepra të ndryshme penale, vazhdojnë të kenë dëshirë për të pasur pozicione të caktuara politike. Megjithatë shumica e tyre diktohen paraprakisht; është partia, që nuk i lejon të mbërrijnë në procesin zgjedhor dhe të mund të marrin një mandat deputeti”, vijon ajo.

Nëse në Parlament identifikohet një deputet që ka kryer një vepër të caktuar penale, vazhdon arsyetimin deputetja socialdemokrate, hapi i pare është heqja e imunitetit. ligjvenesi trajtohet njëlloj si çdo qytetar tjetër përballë sistemit të drejtësisë. Nëse ai gjykohet fajtor, kjo çon në heqjen e mandatit të tij ose vetë deputeti e dorëzon mandatin si pasojë e presionit që vetë partia apo shoqëria ushtron ndaj tij në këtë kontekst. “Sot në Bundestag nuk kemi politikanë që të kenë bërë në mënyrë të dokumentuar, vepra të caktuara penale”, pohon Ernstberger.

Top Channel