F1, Horner: Rrezikojmë garimin në vitin 2016

18/09/2015 14:40

Red Bull rrezikon pjesëmarrjen në Botërorin e Formulës 1 në sezonin e ardhshëm. Ai që vë alarmin është vetë drejtuesi i kësaj skuadre, Christian Horner, i cili kërkoi që të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur një zgjidhje për kompaninë furnizuese me motorë që do të zëvendësojë Renault.

“Pjesëmarrja në Botërorin e Formulës 1 do të varet nga palët e tjera. Nëse nuk do të kemi një motor, nuk do të mund të garojmë. Mateschitz e ka bërë të qartë: Red Bull dëshiron një motor kompetitiv”, tha Horner në një intervistë për “Autosport”.
 
Fillimisht u mendua se do të ishte Mercedes ai që do të furnizonte Red Bullin me motorë, por kompania gjermane vendosi të hedhë poshtë këtë opsion me pretendimin se nuk dëshironte përforcimin e një skuadre rivale. Horner deklaroi se nuk u habit aspak nga ky vendim i Mercedesit.

“Nga njëra anë, arrij të kuptoj Toto Wolff kur thotë se e sheh Red Bullin si një kërcënim. Te Mercedes ndoshta nuk e kanë me shumë dëshirë të ndihmojnë me motorë një rival direkt dhe Wolff ishte shumë i qartë në këtë pikë. Të them të drejtën e prisja këtë. Tashmë ne do të përqendrojmë vëmendjen diku tjetër”, tha Horner.

Top Channel