Kroacia do të hapë kufijtë për emigrantët

18/09/2015 14:40

Kroacia nuk mund të shndërrohet në një “pikë të nxehtë” për emigrantët. Me këtë fjali, kryeministri kroat, Zoran Milanoviç deklaroi se vendi i tij do të lejojë refugjatët që të përdorin territorin e vendit si rrugëkalim drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Ai tha se vendi nuk mund të mbyllë komplekt kufijtë, por situata ishte emergjente dhe fluksi i papërballueshëm për autoritetet. Kroacia mbylli në orët e para të së premtes shtatë nga tetë pikëkalimet kufitare të saj pas fluksit të madh të emigrantëve që ka nisur të vërshojë nga Serbia në dy ditët e fundit.

Brenda pak orësh më shumë se 14 mijë refugjatë, pjesa dërrmuese e tyre sirianë, kanë hyrë në Kroaci. Lëvizja e tyre drejt Kroacisë dhe Sllovenisë mbërriti pas vendimit të autoriteteve hungareze, që ashpërsoi masat duke e konsideruar edhe vepër penale shkeljen e paligjshme të kufirit.

Ballkani po përdoret gjerësisht prej të zhvendosurve nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, si rrugë për kalimin në vendet e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e tyre synojnë Gjermaninë.  Berlini ka kërkuar ndërgjegjësim të vendeve të tjera të Unionit për të shpërndarë numrin e azilkërkuesve.

Deri më tani, në Bruksel është rënë dakort për shpërndarjen e vetëm 40 mijë refugjatëve, por shifrat janë shumë më të larta. Kriza ka pasuar reagimin e mjaft vendeve të BE-së që ngurrojnë të strehojnë të zhvendosurit dhe kanë përforcuar kufijtë e tyre duke rikthyer kontrollet.

Rikthimi i kontrolleve në kufi nga një pjesë e vendeve të zonës Shengen, është interpretuar nga analistët si një sfidë që i bëhet marrëveshjes së hyrë në fuqi në vitin 1995 për lëvizjen e lirë.

Top Channel