Siguria në shkolla, prefekti i Lushnjës shton policët

18/09/2015 15:10

Në Lushnje do të shtohet numri i patrullave policore pranë çdo shkolle. Prefekti i Lushnjes, Ilir Dervishi, ka thirrur në një takim urgjent përfaqësuesit më të lartë të policisë, për të bashkërenduar punën në sigurinë e nxënësve të shkollave.

Shqetësimi kryesor që kanë nxënës dhe mëues të shkollave në Lushnje dhe Divjakë është vështirësia në lëvizje për shkak të trafikut të madh. Për këtë arsye, zoti Dervishi i ka kërkuar shefit të komisariatit të Lushnjes, Eduart Sulejmanit, dhe shefit të qarkullimit Rrugor, Ylli Kacabumit, praninë e forcave policore në çdo shkollë të rrethit. Sipas tij, patrullimi i policisë në çdo shkollë do të rrisë sigurinë e nxënësve dhe do të normalizojë trafikun.

“Do të kërkoja nga policia, sidomos sektori i qarkullimit rrugor, të mobilizohet sidomos në orët e mëngjesit dhe mesditës, kur përfundon orari mësimor, për mbarëvajtjen e drejtuesve të mjeteve për të shmangur çdo rast që do të vinte në rrezik jetën e nxënësve të shkollave, por dhe qytetarëve. Gjithashtu, do të kërkoja nga policia e shtetit mbikqyrjen në mënyrë permanente nëpërmjet patrullave të lëvizshme, të shkollave”, tha Ilir Dervishi, prefekti i Lushnes.

Policia e Lushnjes ka përcaktuar 10 njësi policore, që do të jenë prezente në oraret e fillimit dhe mbarimit të mësimit. Shefi i policisë Lushnje, Eduart Sulejmani, theksoi se forcat policore do të jenë të pranishme në oren 8.00, përpara fillimit të mësimit dhe në orën 13.30 në përfundim të tij.
 
“Janë përcaktuar shërbime policore që do të jenë prezente dhe janë prezente në të gjitha shkollat në mëngjes në orarin e fillimit të mësimit, në orarin e pushimit, si dhe në përfundim të procesit mësimor rreth orës 13.30 ”, tha Eduart Sulejmani, shefi i komisariatit të Lushnjes.

Në këtë takim u kërkua nga prefekti të punohet për ndërgjegjësimin e nxënësve në ndalimin e përdorimit të lëndëve narkotike. Në këtë drejtim policia, psikologët dhe mësuesit duhet të takohen më shpesh me nxënësit për të biseduar për këtë problem që shqetëson shkollat sot.

Top Channel