Koronarografi dhe gjatë natës, në tetor ekzaminimi në QSUT

18/09/2015 15:35

Brenda muajit tetor nëse një pacient do të ketë nevojë të bëjë një koronarografi në shërbimin publik mund ta bëjë atë edhe nëse paraqitet gjatë natës, ndonëse deri më tani ky ekzaminim në orët e vona, ofrohej vetëm në spitalet private.

“Sigurisht ajo çka kemi këtu me pajisjet, me mjekët, me personelin janë një bazë e mirë që ne besojmë që brenda muajit tetor të kemi këtë shërbim 24 orë në shtatë ditë të javës”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.
 
Në shërbimin e Hemodinamikës është shtuar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën, çka pritet të rrisë edhe më cilësinë e shërbimt mjekësor. Për këtë është shtuar dhe stafi mjekësor i Hemodinamikës.
 
“Nga viti 2013, 6-mujori i parë në vitin 2015, 6-mujorin e parë është rritur me rreth 50% numri i koronarografive të zhvilluara në qendrën tonë spitalore, në kabinetin e Hemodinamikës. Ndërkohë që është 24% më shumë se viti 2014”, tha Ogerta Manstirliu, drejtoresha e QSUT-së.

Shefi i shërbimit të kardiologjise prof. Artan Goda theksoi se ky shërbim është shndërruar në qendrën më të madhe në rajon.

“Së bashku me një furnizim më të mirë të materialeve të konsumit, ka bërë të mundur që qëndra jonë QSUT të kthehet në një nga qëndrat më të mëdha në gjithë rajonin, përsa i përket numrave”, thotë Prof .Dr Artan Goda, shef i shërbimit të kardiologjisë.

Investimi në aparatura të parametrave bashkëkohorë por dhe shtimi i stafit mjekësor që do t’i përdorin ato ka bërë që të ulet ndjeshëm kohëpritja për të bërë një ekzaminim koronarografie në shërbimin publik, duke evituar faturat marramendëse që paguajnë pacientët për të marrë të njëjtin shërbim në spitalet private.

Top Channel