Plus akuzon AKEP për mosdhënien e 3G-së

18/09/2015 15:35

Në tregun e telefonisë celulare është bërë ditët e fundit publik një konflikt mes kompanisë Plus dhe rregullatorit të tregut, Agjencisë së Komunikimeve Elektroniko-Postare.

Kompania Plus pretendon se prej vitesh në mënyrë të padrejtë dhe arbitrare, AKEP është duke i refuzuar dhënien e licencës 3G.

“Kemi që vjet në nëntor që presim të shpallet tenderi për të marrë licencën 3G dhe që atëherë e deri më tani, institucionet shtetërore nuk e kanë gjetur rrugën për të shpallur këtë tender dhe për të hapur procesin. Absurdi qëndron se përveçse kemi kaq vjet që nuk marrim licencën 3G për arsye të çuditshme, jo për faj të Plus-it, jemi në një pikë ku çuditërisht na mohohet e drejta nga AKEP për të bërë teste për shërbimin 3G”, thotë Matilda Shehu, Drejtore Ekzekutive e kompanisë Plus.

Një tjetër problem mes kompanise dhe AKEP duket se eshtë pretendimi që lidhet me rregullimin e tregut. Kompania pretendon se AKEP ka vonuar për shume kohë disa vendime të rëndësishme për mirëfunksionimin e tregut.

“Rasti më i fundit është vendimi që ka marrë AKEP në 2014, që do hynte në fuqi më 1 janar, çuditërisht u shty dhe hyri në fuqi më 1 korrik dhe ashtu siç Plusi kishte kërkuar, ashtu siç Plus kishte treguar që nuk funksiononte rregullimi i tregut në Shqipëri, u vërtetua duke filluar nga 1 korriku e deri më sot, që barazimi i tarifave brenda dhe jashtë rrjetit po funksionon”, thotë Sheshu.

Kompania shprehet se shqetësimet që ajo ka ngritur janë vërtetuar këto muajt e fundit, kur hyrja në fuqi e masave, sipas saj, të vonuara ka dhënë efekte në rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e konsumatorëve.

Top Channel