Pastrimi i parave, Shqipëria përjashtohet nga monitorimi i Moneyval

18/09/2015 16:10

Shqipëria përjashtohet nga monitorimi i vazhdueshëm i Moneyval, Komitetit të Ekspertëve të Vlerësimit të Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit të Këshillit të Europës.

Anëtare që prej themelimit të tij në vitin 1997, Shqipëria mbikëqyrej për masat e marra në zbatimin e rekomandimeve të përcaktuara nga Komiteti dhe vlerësimi i fundit i Strasburgut daton në 2011.

John Ringguth, Sekretar Ekzekutiv i Moneyval: Vlerësimi i fundit ishte në 2011 dhe në atë kohë kishte një sërë deficencash teknike mbi standardet kryesore ndërkombëtare, të cilat duhet të trajtoheshin. Për shkak të mekanizmit tonë mbikëqyrës, ne e kemi ndjekur me shumë kujdes procesin. Kështu, që nga 2011 dhe deri këtë javë, kur Shqipëria raportoi për të gjitha hapat e ndërmarra,  për të gjashtën herë ne mundëm të dilnim me konkluzionin se progresi i arritur nga Shqipëria ishte në fakt në një nivel të kënaqshëm, apo siç themi ne ‘ekuivalent i rangut të përputhshmërisë së gjerë’, në krahasim me nivelet e arritura me vlerësimet e mëparshme. Kjo do të thotë se për ne, Shqipëria ka bërë me të vërtetë një progres jashtëzakonisht të madh në këto vitet e fundit mbi një sërë çështjesh serioze. Objektivi i statutit tonë nuk është vetëm përpilimi i raporteve dhe i rekomandimeve ndaj vendeve, por ka të bëjë  edhe me ndjekjen e tyre, për t’u siguruar se kapacitetet e vendeve të veçanta për të luftuar me të vërtetë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit janë rritur. Mendoj se raporti që ne diskutuam këtë javë tregon qartë se Shqipëria ka tashmë shumicën e kapaciteteve të nevojshme teknike në këtë fushë për një trajtimin efektiv dhe serioz  të këtyre çështjeve në të ardhmen. Pra, ne vendosëm këtë javë që të nxjerrim Shqipërinë nga procesi i mbikqyrjes së vazhdueshme, që e detyronte për  raportim periodik, në mënyrë që ne të shqyrtonim progresin e bërë. Për mua, tani nis puna e vërtetë në aspekt të zbatimit real të standardeve ndërkombëtare. Disa prej tyre janë zbatuar në mënyrë efektive, por në vlerësimin e radhës ne do të shohim edhe më nga afër se si zbatohen në terren dispozitat e reja ligjore. Kjo ka shumë rëndësi tani, sepse për vende si Shqipëria që janë prej një kohë të gjatë në Moneyval, ne presim që ato të jenë teknikisht në përputhje me standardet. Në raundin vlerësues të radhës, ne do të këqyrim se si ata i kuptojnë rreziqet që hasin për pastrimin e parave, nëse ata e kuptojnë siç duhet se kush janë sektorët më vulnerabël dhe ne do të shohim gjithashtu me një sy kritik penalizimin mbi pastrimin e parave, konfiskimin, nëse përbëjnë realisht një shembull të mirë për përdorimin e këtyre ligjeve nga gjykatat, dukshëm, me shpresën se ka dënime aty ku duhet. Raundi i ardhshëm është më i fokusuar në zbatimin efektiv dhe ne presim që përputhshmëria teknike të jetë më pak e rëndësishme.

Delegacioni shqipëtar përbëhej nga 9 anëtarë, përfaqësues të Bankës Qendrore, të Prokurorisë së Përgjithshme, të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Financave.  Zyrtarët nga Tirana dorëzuan një raport mbi plotësimin e rekomandimeve të Moneyval prej 179 faqesh,  ku në 80 (faqe) prej tyre përmblidhen të dhënat për bllokim parash, sekuestrim fondesh dhe asetesh, si dhe rastet në ndjekje.  Sipas kreut të Delegacionit, Genti Gazheli, “ky vendim rrit besueshmërinë për integritetin e sistemit financiar vendas, duke krijuar një klimë edhe më të favorshme për rritjen e investimeve të huaja, si dhe forcon kontributin e institucioneve shqipëtare në kuadër të bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtare  për luftën ndaj krimit ekonomik, pastrimit të parave, krimit të organizuar e financimit të terrorizmit.

Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i DPPP: Kjo do të thotë që Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që monitorohen rregullisht për pastrim parash dhe financim terrorizmi.

Top Channel: A mendoni se ishte vendimi i duhur i këtij viti apo Shqipëria mund të kishte dalë dhe më herët nga Moneyval?

Gazheli: Në tetor 2013 u miratua ligji kundër financimit të terrorizmit, që është shumë i rëndësishëm në plotësimin e standardeve ndërkombëtare dhe kjo ndodhi vetëm në tetor 2013. Ky ishte një nga mangësitë kryesore që e linte Shqipërinë nën monitorim për financim terrorizmi. Plotësimi i këtij standardi e rriti nivelin e standardit të Shqipërisë.

Top Channel: Pra në vitin 2014 mund të kishte ndodhur e njëjta gjë që ne të kishim dalë nga kjo mbikqyrje, apo jo?

Gazheli: Mundet, por komiteti është shumë strikt në përmbushjen e të gjitha mangësive të adresuara. Pasi i plotësuam të gjitha mangësitë, Komiteti mori vendimin për daljen e Shqipërisë nga monitorimi i vazhdueshëm.

Top Channel: Në 2017 do të jetë raporti i radhës për Shqipërinë për të verifikuar në praktikë sesi i zbatojmë ligjet, çfarë prisni?

Gazheli: Më shumë efektivitet presim për 2017. Ne kemi plotësuar çdo mangësi në anën ligjore. Kërkohet efektivitet dhe dënueshmëri deri në gjykata. Pra, kemi plotësuar parandalimin, kemi rritur forcën efektive të goditjes, por duhet dënueshmëri edhe nga gjykata që të shkojë çështja në përfundim deri në konfiskim.

John Ringguth: Raundi tjetër duhet të fokusohet shumë më pak mbi përputhshmërinë  teknike, pasi ne presim që vendet t’i  përfshijnë ato në ligjet e tyre dhe Shqipëria këtu është një shembull shumë i mirë, pasi ligjet tuaja për konfiskimet dhe penalizimin e pastrimin e parave janë tashmë gjerësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, për të mos thënë plotësisht në mënyrë teknike.  Në mënyrë të veçantë duhet të përmend që Shqipëria është pjesë e Konventës së Varshavës së Këshillit të Europës, e cila ka dispozita, që shkojnë përtej standarteve aktuale ndërkombëtare, për të ndihmuar prokurorët në ndjekjen e rasteve mbi pastrimin e parave dhe për të ndihmuar gjykatat që të bëjnë urdhra shtrëngues për konfiskim. Shqipëria është anëtare e plotë dhe luan një rol kyç në komitetin përgjegjës për këtë konventë. Shqipëria ka armatën teknike për të bërë konfiskime serioze ndaj palëve të treta që merren me krim të organizuar, si dhe për të arritur sukses në këtë fushë.

Top Channel: Cilat janë sfidat kryesore që hasin vendet anëtare kur zbatojnë rekomandimet e përcaktuara, sidomos për parandalimin e financimit të terrorizmit dhe  cilat janë problemet kyçe që duhen trajtuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor ?

John Ringguth: Ajo që do të përmendja, posaçërisht, është kërkesa për ngrirjen e aseteve, apo për t’i bërë ato jo të disponueshme për njerëzit e listuar nga Kombet e Bashkuara si të lidhur me Al-Qaeda-n ose me talebanët, ose me grupin e ‘Shtetit Islamik’ që ka shumë rëndësi tani dhe është përfshirë në atë rezolutë të veçantë. Standardi, që vjen nga Kombet e Bashkuara dhe FATF, kërkon nga shtetet që të ngrijnë në mënyrë  automatike asetet për njerëzit që kanë emrat në këtë listë të përcaktuar nga komiteti në Nju Jork. Këtu ende mbeten pak probleme të vogla përsa i takon Shqipërisë. Shqipëria ka një proçedurë që përcakton terroristët për ngrirjen e aseteve përmes një komisioni në Shqipëri. Por, një nga problemet e listuara përsa i takon vendeve është kërkesa që ngrirja e aseteve për grupin e Shtetit Islamik dhe Al-Qaeda-s duhet bërë pa vonesë dhe termi ‘pa vonesë’ është interpretuar nga FATF dhe Moneyval  si  “brenda disa orëve”. Kështu që kjo çështje duhet zgjidhur në disa vende për ta bërë këtë përcaktim më të shpejtë për procedurat që lejojnë ende disa vende.

Top Channel: Cila do ishte këshilla juaj ndaj politikë-bërësve në Shqipëri?

John Ringguth: Këshilla ime do të ishte; jini në pozita për të dëshmuar mbi të ashtuquajturin ‘tregues efektshmërie’ për raundin e ri se ju keni disa raste të mira në ndjekje që bëjnë diferencën.

Top Channel: Vetëm ndjekjet, apo përfshihen dhe dënimet? 

John Ringguth:  Po sigurisht, përfshirë dhe dënimet nga gjykatat. Shembuj të mirë të konfiskimeve dhe sidomos për anën e parandalimit, jepni evidenca se mbikëqyrjet identifikojnë rregullisht se cilat janë fushat e riskut, pjesët më të rrezikuara të sektorit financiar, duke u siguruar se ata po përdorin burimet e tyre në fushat kryesore të riskut kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen. Një nga treguesit kryesorë në raundin e ri do të jetë niveli mbi punën e duhur të mbikëqyrësve dhe kjo është dukshëm shumë e rëndësishme përsa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ka dhe diçka të fundit që dua të them e kjo është se në vende që kanë një background disi të gjerë të sektorit informal, ky sektor mund të përdoret për pastrim parash. Është në fakt shumë e rëndësishme që autoritetet të kuptojnë se çfarë po ndodh në atë sektor gjithashtu. Kështu që ka një punë për mbikqyrësit aty, por ka dhe  një rol për qeverinë sepse nëse ekziston një underground i gjerë i sektorit financiar, vlerësuesit do të pyesnin se çfarë po bën vendi për përfshirjen financiare të tij, sepse ne e po konsiderojmë shumë, tani,  në Moneyval dhe FATF, përjashtimin financiar  të njerëzve që nuk përdorin banka dhe që nuk janë të përfshirë në sektorët e mbikëqyrur, të cilët përfaqësojnë në vetvete atë që ne e quajmë ‘risk për pastrim parash dhe financim terrorizmi’.

Vendimi i Komitetit Moneyval pason atë të Shkurtit 2015 nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) në Këshillin e Europës dhe si zakonshit, gjetjet e vlerësimeve të Strasburgut pritet të përfshihen në raportin vjetor të Komisionit Europian mbi Shqipërinë.

Top Channel