Siria, SHBA kërkojnë të ulen në bisedime me Rusinë

18/09/2015 16:25

Presidenti amerikan, Barack Obama i ka konsideruar bisedimet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për çështjen e Sirisë si hapi i radhës i rëndësishëm, teksa shpreson që këto diskutime të zhvillohen së shpejti, ka bërë të ditur kryediplomati John Kerry, këtë të premte.

Rusia është duke shtuar praninë e saj ushtarake në Siri, e menjëherë pas publikimit të fjalëve të Sekretarit amerikan Kerry, ka reaguar shumë shpejt për të konfirmuar se edhe Moska është e gatshme për bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Në një takim në Londër me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, Kerry tha se Presidenti amerikan shpreson që diskutimet të “mund të ndihmojnë në përcaktimin e disa opsioneve të ndryshme të mundshme për ne, përpara se të konsiderojmë hapat e ardhshme në Siri”.

“Fokusi ynë kryesor mbetet shkatërrimi i militantëve të Shtetit Islamik dhe gjetja e një zgjidhjeje politike në respektim të plotë të Sirisë, gjë që ne besojmë se nuk mund të arrihet me një prani afatgjatë të Presidentit Assad”, tha Kerry për reporterët. “Ne jemi duke shqyrtuar mundësi të ndryshme për të gjetur terrenin e përbashkët me rusët”.

Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ashpër mbështetjen e Rusisë ndaj Assadit, ndërkohë që Pentagoni ndërpreu bisedimet e nivelit të lartë ushtarak me Moskën, që kur kjo e fundit vendosi të aneksonte Krimenë e më pas të ndërhynte në rajonet lindore të Ukrainës.

Por, prania ushtarake e Rusisë në bazën ajrore siriane të Latakias shton mundësinë e misioneve luftarake ajrore në hapësirën ajrore siriane. Pajisjet e rënda ushtarake, përfshi edhe tanket, helikopterët dhe forcat detare të këmbësorisë, janë zhvendosur për në Latakia, thanë zyrtarë amerikanë.

Më herët, një burim nga ushtria siriane tha se trupat kanë nisur të përdorin edhe armët e reja me të cilat janë furnizuar prej Rusia, ku përfshihen sisteme ajrore dhe tokësore.

Kerry shtoi se Shtetet e Bashkuara duan të gjejnë një “zgjidhje diplomatike” për të ecur përpara. “Të gjithë jemi përfshirë nga nevoja urgjente për të vepruar. Ne i kemi qëndruar vendimit tonë prej një kohe të gjatë, por nivelet e emigracionit nga këto zona dhe shkatërrimi i vazhdueshëm, por edhe rreziku i një rritjeje të mëtejshme për shkak të lëvizjeve të njëanshme mund të kërkojnë më shumë përpjekje diplomatike në këtë moment”, shtoi ai.

“Ne nuk kemi refuzuar kurrë dialogun me Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. “Jemi të hapur për to, për të gjitha çështjet me shqetësim të përbashkët, përfshi edhe Sirinë”.

Top Channel