Kalvari i emigrantëve, rrezikohen nga fushat e minuara

18/09/2015 16:45

Mijëra refugjatë të dëshpëruar të cilët nuk u lejuan të kalonin në kufirin hungarez mund të detyrohen të përshkojnë fushat e rrezikshme të minuara në Kroaci, në kërkim të një jete më të sigurt në Europë.

Mendohet se nga 60 mijë deri në 100 mijë mina gjenden në një zonë prej 802 km katrorë në Kroaci që prej luftërave ballkanike të viteve ’90-ta. Përpjekjet për pastrimin e tyre u penguan nga përmbytjet masive të vitit 2014, dhe ende nuk dihet se sa kanë mbetur e sa prej tyre janë ende aktive.

Gjithsesi, kjo përbën një perspektivë të rrezikshme e vdekjeprurëse për refugjatët të cilët që prej të mërkurës në mëngjes po vërshojnë drejt Kroacisë në rrugën e tyre drejt Austrisë dhe Gjermanisë.

Grupe vullnetare në mediat sociale kanë publikuar udhëzime se si të evitohen minat dhe harta që tregojnë se ku janë fushat kryesore me mina. E ndërsa autoritetet thonë se fushat aktive me mina kanë shenja paralajmëruese, qindra vetë kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur nga ato që prej fundit të luftës në vitin 1995.

Top Channel