Senatorët italianë vizitojnë Kosovën, takime me krerët shtetërorë

18/09/2015 17:00

Një delegacion senatorësh italianë, nga Komisioni për Politikat e Bashkimit Europian, ka vizituar të këtë të premte Kosovën, ku kanë zhvilluar takime me krerët më të lartë të institucioneve.

Udhëheqësi i delegacionit të senatorëve, Vannino Chiti tha se Italia mirëkupton kërkesën e kosovarëve për liberalizim të vizave. Ai deklaroi gjithashtu se Italia mbështet Kosovën për heqjen e tyre dhe këtë mbështetje do t’ua kërkojë edhe vendeve të tjera europiane.

“Nuk jam në gjendje të bëj parashikime sa i përket periudhave kohore. Mirëpo ajo çfarë mund të them është se, Italia e kupton shumë mirë faktin, që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të lëvizin pa viza. E kuptojmë shumë mirë këtë kërkesë, domethënien dhe kuptimin e saj të vërtetë. Këtë kërkesë e shohim me miqësi dhe simpati dhe, për aq sa mund të bëjmë, do ta çojmë përpara bashkëpunimin me vendet e tjera, me të cilat duhet të marrim vendime të përbashkëta. E bëjmë këtë edhe duke pasur parasysh faktin se, Kosova ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha Vannino Chiti, senator italian.

Nën organizimin e ambasadorit italian në Prishtinë, delegacioni i senatorëve italianë ka takuar përfaqësuesit italianë që punojnë në KFOR, EULEX dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë ditës, senatorët italianë janë pritur në takime të ndara nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe nga kryeministri, Isa Mustafa.

Sipas një komunikate për mediat, të lëshuar nga Zyra e kryeparlamentarit kosovar, në takim është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit të Kosovës me Italinë, me theks të veçantë në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. Senatori Vannino Chiti i ka thënë kryeparlamentarit Veseli se, Kosova gëzon përkrahje nga të gjithë faktorët në Senatin italian.

Në takimin me kryeministrin Isa Mustafa, senatorët italianë kanë biseduar për reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat – sipas tij – do të gjenerojnë vende të reja pune. Pas takimit me kryeministrin Mustafa, delegacioni i senatorëve italianë zhvilloi edhe një takim me ministrin për Integrimin Europian, Bekim Çollaku, i cili i ka njoftuar ata me përmbushjen e detyrimeve të Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe kriteret për liberalizimin e vizave.

Top Channel