Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka inkurajuar politikanët në Shkup, që të zbatojnë marrëveshjen e 2 qershorit dhe të fokusohen në zbatimin e reformave, që duhet të sjellin ndryshime të rëndësishme në vend.

Në Këshillin nacional për eurointegrimet pranë Kuvendit të Maqedonisë, Hahn kërkoi nga zyrtarët vendas më tepër angazhim për sundimin e së drejtës, pavarësinë e gjykatave, ndarjen e partisë nga shteti, lirinë e medieve dhe uljen e papunësisë.

“Qëllimi i vizitës sime këtu është integrimi i Maqedonisë në BE. Një hap pozitiv në këtë drejtim është edhe marrëveshja për zgjidhjen e krizës. E pranoj se vendi juaj ka filluar me zbatimin e reformave, megjithatë ka ngeluar ende punë për t’u bërë. Reformat që duhen implementuar në vijim janë ambicioze dhe politikisht të rënda, por do të sjellin ndryshime të rëndësishme në vend”, tha Johaness Hahn, komisioner i BE-së për Zgjerimin.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti tha para zyrtarit të lartë europian se, pas marrëveshjes për zgjidhjen e krizës, klasa politike në Shkup duhet të përqendrohet tek avancimi i dialogut ndëretnik.

“Nga procesi i Përzhinës, marrëveshjes për zgjidhjen e krizës, shqiptarët presin përgjigje për të paktën dy dilema, siç janë rasti ‘Sopoti’ dhe rasti ‘Monstra’. Ne kërkojmë dhe presim mbështetje europiane, që të garantohet se institucionet dhe prokurorja speciale do të mundësojnë, që këto dy raste të marrin përgjigjen e merituar në një proces transparent”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni, PDSH-ja opozitare akuzoi qeverinë e Shkupit, ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI.

“Pushteti gjyqësor është i politizuar dhe i kapur nga partitë politike. Nga këtu kanë dalë shumë procese të montuara politike në dëm të shqiptarëve. Në këtë Parlament janë miratuar ligje, që kanë dëmtuar rëndë Marrëveshjen e Ohrit, janë sjellë akte ligjore që janë antishqiptare dhe i bëjnë shqiptarët qytetarë të kategorisë së dytë”, tha Merale Ferati, deputete e PDSH-së.

Krahas diskutimeve për problemet e shumta dhe për nevojën e tejkalimit të tyre, deputetët e të gjitha partive folën edhe për integrimin e vendit, e me këtë rast kërkuan nga Brukseli, që të fillojë sa më parë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë.

Top Channel