David Beckham bëhet pjesë e kinematografisë. Ish-ylli i United dhe Real Madrid u shfaq në filmin me metrazh të shkurtër ‘Outlaws’, film ky i realizuar nga kompania britanike “Belstaff” ku interpretojnë edhe emra të tillë si Harvey Keitel, Katherine Waterston dhe Cathy Moriarty.

Në një intervistë për “Reuters”, 40-vjeçari tregoi eksperiencën më të re të përjetuar prej tij duke theksuar se nuk kishte marrë asnjë leksion aktrimi për xhirimin e këtij filmi.

“Isha shumë nervoz pasi duhet të punoja me persona shumë profesionistë. Detyra ime ishte e lehtë, pasi nuk më duhej të thosha asnjë fjalë”, tha Beckham në intervistën e tij.

Mësohet se Beckham do të interpretojë edhe në filmin e regjisorit Guy Ritchie, “Knights of the Roundtable” që pritet të shfaqet vitin e ardhshëm, duke bërë që të shtohen zërat për nisjen e karrierës kinematografike nga ana e tij, zëra këto që ish-kapiteni i përfaqësueses angleze i hodhi poshtë menjëherë.

“Guy është një mik i mirë imi dhe ka kërkuar ndihmën time edhe më parë. Ai ishte regjisor edhe i spotit tim publicitar të ‘H and M’, ndërkohë që kam një pjesë të shkurtër edhe të ‘Man from U.N.C.L.E’. Jam bërë pjesë e shumë projekteve të tilla, por mund të them se kjo nuk është karriera ime”, u shpreh Beckham.

Filmi “Outlaws” pritet të shfaqet në faqen zyrtare të internetit të kompanisë “Belstaff” në datën 22 shtator.

Top Channel