F1, Singapori nis me surpriza. Kvyat, i pari në provat e lira

18/09/2015 18:20

Çmimi i Madh i Singaporit ka nisur me surpriza. Daniil Kvyat dhe Kimi Raikkonen janë pilotët më të shpejtë të sesionit të dytë të lirë. Piloti i Red Bullit, prej 3 javësh vijon të bëjë paraqitje mbresëlënëse e këtë e konfirmoi edhe në ditën e testeve të lira, në “Marina Bay” të Singaporit.

Rusi e ndali kronometrin në kohën 1’46”.142, vetëm ‘39 të mijëtat më shpejt se piloti i Ferrarit, Kimi Raikkonen. Kohën e tretë më të mirë në këtë sesion e vendosi australiani Ricciardo, me Red Bull. Për Hamiltonin, vetëm vendi i katërt.

Më herët, në sesionin e parë, ai që bëri diferencën ishte Nico Rosberg, që në 27 xhiro arriti të vendoste si kohë më të mirë atë kur kronometri u ndal në 1’47”.995. Pas tij, në sesionin parë u rendit Hamilton. Sa i përket gjermanit Sebastian Vettel, në sesionin e parë vendosi kohën e katërt më të mirë, ndërsa në sesionin e dytë kohën e pestë.

Kampionati vijon të udhëhiqet nga britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton me 252 pikë, i ndjekur nga Nico Rosberg me 199 pikë dhe Vettel me 178 pikë. Sa u përket skuadrave, Mercedesi është shkëputur me 451 pikë, ndërsa Ferrari ndjek i dyti me 270 pikë.

Çmimi i Madh i Singaporit është ndalesa e 13 e kampionatit botëror të Formula 1 për vitin 2015 dhe do të transmetohet në Top Channel, të shtunën në orën 14:00 me provat zyrtare dhe të dielën po në orën 14:00 me garën.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel