Konflikti sirian, mbahen bisedimet e para Uashington-Moskë

18/09/2015 18:20

Ministrat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë zhvilluar bisedimet e para në lidhje me konfliktin në Siri, ka bërë të ditur Pentagoni.

Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter ka folur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu mbi mundësinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Lajmi për bisedën telefonike mes Carter dhe Shoigu vjen pak pasi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se Shtetet e Bashkuara shpresonin se, një bisedë mes krerëve ushtarakë do të zhvillohej së shpejti.

Dy shefat e mbrojtjes diskutuan për atë që në njoftimin zyrtar citohet si “dekonfliktimi” e ku nënvizohet se “bisedimet kanë qenë konstruktive”.

Ndërkohë, në zhvillime të tjera Moska zyrtare ka paralajmëruar se një kërkesë e mundshme nga Siria për të dërguar trupa “do të diskutohet dhe merret në konsideratë”.

“Por është e vështirë të flasësh për këtë çështje në mënyrë hipotetike”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, një grup rus i të drejtave të njeriut ka deklaruar se është kontaktuar nga disa ushtarë rusë që druhen se do të dërgohen për të luftuar në Siri.

Çdo vendosje sekrete e trupave ruse në Siri do të ishte tërësisht ilegale, deklaroi Sergei Krivenko nga Këshilli Rus për të Drejtat e Njeriut.

Top Channel