Ylli: 4-fishim të bizneseve që sigurojnë punonjësit

18/09/2015 18:35

Shefi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dritan Ylli deklaroi këtë të premte se gjatë dy javëve të fundit ka pasur një katërfishim të subjekteve që po sigurojnë punonjësit e tyre.

Zoti Ylli e bëri këtë deklaratë gjatë vizitës në ambjentet e një sipërmarrjeje private në Berat, të cilën e konsideroi si një subjekt model të standardeve perëndimore.

“Në kuadër të operacionit kundër informalitetit kemi dalë në terren për të monitoruar punën. Kërkojmë që inspektorët tanë të jenë korrektë, të komunikueshëm, të bëjnë atë çfarë përmban ligji, në mënyrë që gjithçka ta shkojë në favor të biznesit”, deklaroi Ylli.

Kreu i inspektoriatit nënvizoi se, përmes këtyre aksioneve synohet rritja e ndërgjegjes së vetë subjekteve private për të qenë korrekte me ligjin duke siguruar punonjësit.

“Gjatë këtyre dy javëve kemi një rritje me katërfish të subjekteve që vetë po sigurojnë punonjësit. Pra, vetë biznesi po ndërgjegjësohet. Nga ana tjetër kërkohet që edhe vetë punonjësit të mos punojnë pa u siguruar”, shtoi Ylli.

Top Channel