Kosovë, arrest shtëpie për Oliver Ivanoviç

18/09/2015 18:45

Paneli i gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ka vendosur që Oliver Ivanoviç tash e tutje të mbahet në arrest shtëpiak. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Nebojsha Vlajiç.

Ivanoviçit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej dy muajsh.

“Ivanoviç ka qenë në arrest shtëpiak pasi është liruar nga spitali në Mitrovicë, vend edhe ku mbahej”, ka thënë avokati për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Sipas tij, Ivanoviç vendimin e gjykatës do ta presë derisa mbahet nën arrest shtëpiak.

Në këtë proces gjyqësor, Oliver Ivanoviç akuzohet për krime lufte, pasi sipas aktakuzës, urdhëroi vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ai supozohet se ishte udhëheqësi i një njësie policore paraushtarake.

Ai akuzohet gjithashtu, në bashkëpunim me një person të dytë, për nxitje të vrasjes së shqiptarëve gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Katër të pandehurit e tjerë, Dragolub Delibashiç, Aleksandar Lazoviç dhe Ilija e Nebojsa Vujaçiç që janë babë e bir, gjithashtu përballen me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje të shqiptarëve.

Top Channel