Tsipras kundër Meimarakis, ja cilët janë pretendentët për kryeministër

18/09/2015 19:10

Nga një udhëheqës i një partie të vogël, për shumë vite me vetëm 4% të votave të grekëve, ai bashkoi shumë grupe radikale e marksiste. Duke u ndodhur në epiqendër të krizës më të thellë ekonomike të Greqisë, Alexis Tsipras i çoi radikalët e majtë në nivelin e një partie që rivalizon për pushtet me konservatorët, që në zgjedhjet e dyfishta të mbajtura në maj dhe qershor të vitit 2012.

18 muaj më vonë, kur votuesit e lodhur të Greqisë tashmë humbën edhe durimin me partitë tradicionale, duke premtuar se do të anulonte memorandumet e ndihmës nga të huajt, Tsipras bëhet edhe kryeministri i parë i majtë në Greqinë postdiktature.

Por premtimet se do të bënte Europën të kërcente nën ritmin e së majtës, se do të griste çdo marrëveshje që ishte bërë për të keqen e vendit, se do të sillte zhvillim e mirëqenie, do t’i ktheheshin kundër vetëm disa muaj më voneë, kur gjatë negociatave me huadhënësit e huaj, megjithëse u përpoq shumë, pa se ishte e pamundur të arrinte ato gjëra, për të cilat idealizonte prej vitesh.

Megjithëse mori një mbështetje popullore prej 62% në referendumin që organizoi, mbyllja e bankave dhe vendosja e kontrollit të kapitalit e detyruan të pranonte nënshkrimin e një marrëveshjeje të tretë ndihme, nën kërcënimin tepër serioz kësaj here të një daljeje të Greqisë nga Eurozona, me pasoja katastrofike për vendet anëtare të monedhës së përbashkët, por sidomos për grekët. Kjo i kushtoi një çarje të thellë në partinë e tij dhe një e treta e anëtarëve marksistë e braktisën, për të krijuar një forcë të re.

Duke e pasur të pamundur të qeveriste, pasi humbi shumicën në Parlament, Tsipras u detyrua të shpallë zgjedhjet e parakohshme, i ndikuar edhe nga sondazhet që e favorizonin, por disa orë para hapjes së kutive, realiteti është shumë ndryshe.

Duke ndierë frymën e kundërshtarit pothuajse në supin e tij, ai kërkon një mundësi të dytë për të zbatuar reformat, me të cilat pjesërisht nuk është dakord, por beson se është e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza. 41-vjeçari Tsipras, që ruan admirimin e grekëve pasi është një figurë e papërlyer në skandale ekonomike dhe afera korruptive, rrezikohet nga zhgënjimi dhe dëshpërimi i votuesve para zgjedhjeve të përsëritura, premtimeve boshe dhe të nesërmes së pashpresë dhe të pasigurtë.

Përballë tij, një njeri i sjellë nga baza e konservatorëve, me një veti të jashtëzakonshme për të përqëndruar rreth vetes përkrahësit e “Demokracisë së Re”, me aftësi për të ruajtur unitetin në radhët e saj, i cili rrezikon seriozisht të rrëzojë mitin që Tsipras ngriti në dy vitet e fundit, duke bërë surprizën dhe duke u shpallur fitues i zgjedhjeve.

61-vjeçari Evangjelos Meimarakis, ish-avokat në profesion dhe anëtar i vjetër i konservatorëve, ka kryer një fushatë për t’u admiruar, duke u përpjekur t’u thotë votuesve se Greqia ndryshoi dhe vetë “Demokracia e Re” ndryshoi, e nuk është më ajo parti e sistemit të vjetër klientelist.

Dobësia e tij, sipas analistëve, është fakti që nuk ka kërkuar falje për të gjitha ato, që kjo parti tradicionale pushteti i ka sjellë Greqisë përgjatë qeverisjeve të saj në 4 dekadat e fundit. I zgjedhur për herë të parë deputet në 1989-n, ai ka arritur deri në postin e ministrit të Mbrojtjes, si dhe atë të kryetarit të Parlamentit.

Në kundërshtim me Tsiprasin, Meimarakis e vë theksin te sektori privat, krijimi i vendeve të reja të punës, investimet e huaja dhe shkurtimi i administratës shtetërore. Te ky profil i tij, që shumë sondazhe e sjellin para rivalit të tij, mbështet shpresat “Demokracia e Re” për të marrë përsëri frenat e pushtetit.

Ndërsa udhëheqësi konservator ripërsërit ftesën për një bashkëpunim edhe më të gjerë, përfshi zotin Tsipras, ky i fundit e quan atë pjellë të sistemeve partiake të korruptuara të së kaluarës dhe hedh poshtë mundësinë e një koalicioni të madh midis dy partive rivale.

Top Channel