“Dekriminalizimi të sjellë ndëshkim”, TCH zbulon detajet e raportit të OSBE-së

18/09/2015 19:35

Florian Raunig, kreu i misionit të OSBE-së, përpara Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate në Vjenë paraqiti raportin vjetor për situatën në Shqipëri.

Raporti prej 13 faqesh, i siguruar nga Top-Channel, nis me një vlerësim për reformat e nisura nga koalicioni qeverisës për të cilat thuhet:

“Qeveria e Shqipërisë, një koalicion i Partisë Socialiste, drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe LSI-ja e udhëhequr nga Ilir Meta, kryetar i Kuvendit, ka mbështetur drejtimin e reformave në fushat kyçe. Koalicioni qeverisës është duke treguar vendosmëri për reformat strategjike kaq të nevojshme, si ato në sektorin e drejtësisë, përmes një procesi në përgjithësi të fortë, ku përfshihet ekspertiza ndërkombëtare dhe ajo vendase, përfshirë së fundimi edhe opozitën”.

Raporti analizon edhe aksionet politike të opozitës.

“Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vazhdon në mënyrë të rrëmujshme sulmet ndaj qeverisë, duke argumentuar ndër të tjera se qeveria është e korruptuar dhe po ashtu ndaj strukturave shtetërore, përfshirë administratën publike, për emërime të individëve me të shkuar kriminale në pozicione të rëndësishme. Gjithashtu, opozita në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të marrë pjesë në procesin e reformave kyçe, si ajo në drejtësi dhe në hartimin e disa paketave ligjore të rëndësishme”.

Në kuadër të procesit të dekriminalizimit, OSBE sugjeron jo vetëm përjashtim nga politika.

“Çështja e dekriminalizimit të Parlamentit dhe qeverisjes qendrore e lokale është më e gjerë krahasuar me rastet e veçanta për të cilat ka akuza të besueshme, të cilat thonë se zyrtarë të niveleve të larta (në të shkuarën dhe tani) janë përfshirë në pozicione jo të përshtatëshme. Kjo është një çështje e cila do të vazhdojë të ketë vëmendjen e publikut dhe natyrisht nga kjo përfituese është qeveria, nëse të tilla përpjekje do të çojnë në ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar ku përfshihen edhe deputetët. E si pasojë, kjo do të sigurojë që të gjithë zyrratët në nivelet më të larta të kenë standarde etike nga më lartat. Për këtë, Partia Demokratike paraqiti më 4 shtator në Parlament një projektligj dekriminalizues”.

Ndërsa për reformën në drejtësi OSBE-konstaton:

“Qeveria së bashku me Parlamentin, reformën në drejtësi e kanë cilësuar si prioritet të vitit 2015. Nëse opozita nuk është pjesëmarrëse tërësisht, atëherë mund të dëmtohet kredibiliteti dhe qëndrueshmëria e reformës në drejtësi për të ardhmen”.

Shqipëria, thuhet në raport, vijon mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar.

“Pavarësisht iniciativave për të proceduar penalisht disa zyrtarë të nivelit të mesëm, Shqipëria nuk ka mundur ende të realizojë me sukses formimin e një rregjistri për ata që ndiqen penalisht nga elita politike dhe ekonomike, në mënyrë të posaçme përsa i përket vënies së pasurive të paligjshme, korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Raporti i ambasadorit të OSBE-së thekson se ndëshkimi të korruptuarve në drejtësi mbetet i ulët.

“Llogaridhënia nga gjyqtarët mbetet një shqetësim serioz dhe duhet të balancohet si një nevojë për pavarësinë e drejtësisë. Që prej tetorit 2004, vetëm 5 gjyqtarë janë vënë nën hetim, prejt të cilëve 3 për korrupsion dhe 2 për fshehje pasurie. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në 2014 dha 13 masa disiplinore për gjyqtarët krahasuar me vetëm 1 të tillë në 2013”, nënvizon raporti.

Në raport përshëndetet puna e Policisë së Shtetit në luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

“Përpjekjet intensive të policsë në luftën kundër kultivimit të drogës, të kombinuara me të tjera iniciativa në shkallë të gjerë kombëtare, si ulja e vjedhjes së energjisë elektrike, ndërtimet pa leje, janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë në sigurimin e zbatimit më të mirë të legjislacionit dhe zbatimit adekuat të shtetit ligjor. Kjo është për t’u përshëndetur”, thekson raporti.

Sipas OSBE-së, në vend është ulur numri i padive për të larguarit nga puna.

“Të gjitha ministritë kanë struktura të reja rekrutimi të punonjësve shtetërorë. E si pasojë është ulur ndjeshëm numri i padive për çështjet e punësimit me qeverinë, të adminisruara në Gjykatën Administrative deri në gjysmën e 2015-s”, thotë raporti.

Për vitin e ardhshëm sfidat që i mbeten Shqipërisë dhe fushat ku do të asistojë OSBE-ha janë: përfshirja e më shumë të rinjve në proceset demoktarike qeverisëse, vijimi i konsolidimit të demokracisë, forcimi i shtetit ligjor, përfshirë reformat, fati i të cilave mbetet në dorë të vullnetit të aktorëve të politikës shqiptare.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel