Dekriminalizimi, Balla: Modeli “Severino” nuk preket. S’pranojmë propozime qesharake

18/09/2015 19:55

Për më shumë informacione mbi projektligjin për dekriminalizimin e politikës, në lidhje direkte me studion e lajmeve të Top Channel ka qenë deputeti i PS, Taulant Balla, nënkryetar i komisionit parlamentar të dekriminalizimit.

TCH: Zoti Balla, Partia Demokratike i ka quajtur të mangëta masat kontrolluese në ligjin e qeverisë dhe ka bërë propozimet e saj, ashtu sikurse nuk duket se do të heqë dorë nga instrumentat kontrollues, siç janë gjurmët e gishtërinjve, apo testi i drogës. Ç’mendim keni?

Taulant Balla: Nuk i kam ndjekur zhvillimet nga godina e SHQUP-it sot në vijim të atyre që u thanë dje në Kuvend, por ripërsëris qëndrimin tonë se jemi gati për konsensus, qoftë në Kuvend sikurse bëmë dje, qoftë në komisione, madje edhe në sallat e SHQUP-it nëse duan, me kushtëzimin e vetëm që PD dhe kolegët opozitarë të heqin dorë nga budallallëqet e tipit shto mjell e shto ujë, që gatuajnë në mensën e tyre. Unë vlerësoj se janë disa propozime që na bëjnë qesharakë para gjithë botës dhe që për më tepër nuk ekzistojnë në asnjë ligj të një asnjë vendi të botës. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi konsultuar modele të ndryshme dhe konkluduam tek modeli “Severino” sepse është më i ngjashmi me modelin shqiptar. Por nëse PD në ligjin “Severino” bën arnime qesharake që prekin thelbin dhe arsyetimin e nevojshëm logjik për ndërtimin e një ligji, atëherë…

TCH: Cilat janë këto budallallëqe, zoti Balla?

Taulant Balla: Unë nuk kam mundësi t’i marr me radhë të gjitha propozimet e tyre, një pjesë e të cilave sigurisht qëndrojnë, por një pjesë janë qesharake, por ritheksoj se ne jemi të gatshëm për konsensus dhe nëse ata duan realisht që persona që kërkojnë apo kanë përfaqësim politik por janë të dënuar të largohen nga ky përfaqësim, kjo mund të arrihet brenda 24 orësh dhe drafti ynë e realizon këtë. Por, ajo që unë dua të them sot është se unë kam dyshime se PD nuk është e interesuar për largimin apo mënjanimin nga kandidimi të personave të dënuar. Ajo që ata duan të bëjnë me këto propozime qesharake është që flakën e ndezur nga SHQUP-i për këtë çështje ta mbajnë ndezur. Dhe nëse presim propozimet qesharake të SHQUP-it mund të kalojnë 24 zgjedhje dhe kjo çështje s’ka për t’u zgjidhur ende.

TCH: Opozita ju akuzon juve se nuk keni shfaqur shenja konsensusi dhe se kërkoni të impononi ligjin e qeverisë. A ka vend për konsensus dhe si mund të arrihet ky?

Taulant Balla: Unë mundohem të flas qartë dhe të jem i drejtpërdrejtë. Nëse ata duan që ne ta votojmë së bashku projektligjin, atëherë duhet të heqin dorë nga gjëra që çudisin botën, por na nxjerrin dhe neve aq qesharakë sa ç’duken ata çdo ditë në televizione. Këtë ne nuk e bëjmë dot. Që unë të pranoj bashkë me kolegët e mi të votojmë disa gjëra që na nxjerrin qesharakë para botës dhe shqiptarëve, kjo është e pamundur. Ne kemi përfshirë në variantin tonë jo vetëm veprat penale të kriminalitetit, por dhe të korrupsionit. Këtu nuk pranojnë ata, sepse ata nisen nga emra të përveçëm për të dalë tek rregullimet e domosdoshme ligjore. Nisen nga emri i Xhelal Mziut për të shkuar tek ligji. Kështu që nuk mund të bëhet një ligj nisur nga emra të përveçëm. Duhet të merret modeli i ligjit “Severino” dhe në të të mos shtohen budallallëqe që na bëjnë qesharakë në sy të botës e shqiptarëve.

TCH: Zoti Balla, faleminderit

Top Channel