Japonia miraton ligjin, lejon ushtrinë në role përtej detit

18/09/2015 21:25

Parlamenti i Japonisë ka votuar në favor të një ligji, që do ta lejojë ushtrinë vendase të luftojë përtej kufijve për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, 70 vite më parë.

Votimi ndaj amendamentit kushtetues ishte shtyrë për disa orë, pasi opozita u përpoq të ndalonte përpjekjet që kjo masë të kthehej në ligj. Jashtë institucionit, me dhjetëra demonstrues ishin mbledhur në protestat e fundit kundër këtij hapi.

Shumë japonezë janë pro dispozitave paqësore në Kushtetutë, që kanë ndalur deri më sot luftimet përtej detit. Projektligji kishte kaluar prej pak kohësh nga dhoma e ulët e Parlamentit, e kontrolluar nga qeveria.

Qeveria bëri të ditur se ndryshimet në politikat mbrojtëse janë jetike për të përballuar sfidat e reja ushtarake, si ato të ekspozuara prej rritjes së fuqishme të kapacitetit ushtarak kinez. Ekzekutivi kërkonte që të zhvillonte këtë votim dhe ta miratonte ligjin përpara se të niste një pushim 5-ditor këtë të shtunë.

Koalicioni qeverisës ka shumicën në të dyja dhomat e Parlamentit japonez, i njohur si Diet, gjë që nënkupton se sado që u përpoq, kampi opozitar ishte i pafuqishëm të ndalte kthimin e këtij projektligji në ligj.
 
Masaaki Yamazaki, presidenti i dhomës së lartë të Kuvendit, tha se ligji u miratua me 148 vota pro dhe 90 kundër. Më shumë se 200 orë u shpenzuan për shqyrtimin e legjislacionit, siç raporton “Japan Times”, ndërsa miratimi i tij nga Parlamenti përmbush një nga ambiciet afatgjata të kryeministrit Shinzo Abe.

Të enjten, politikanët opozitarë u përpoqën të shtynin procedimin e projektligjit edhe përmes reagimeve fizike, ndërkohë që edhe në publik ka shkaktuar protesta masive prej muajsh.

Top Channel