SHBA-të, rregulla të reja për të lehtësuar embargon ndaj Kubës

18/09/2015 21:55

Shtëpia e Bardhë është duke hartuar një rregullore gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të lehtësojë edhe më tej embargon tregtare ndaj Kubës, një masë që do të lehtësojë kufizimet ndaj kompanive amerikane dhe do ta bënte më të lehtë për shtetasit amerikanë që të udhëtonin drejt ishullit, deri pak kohë më parë armiqësor me Amerikën.

Lajmi është bërë i ditur që ditën e enjte nga zyrtarë të qeverisë amerikane, por rregullorja e re pritet të shpallet pikërisht gjatë orëve të mbetura të kësaj të premteje. Kompanitë amerikane do të lejohen të ngrijnë zyrat e tyre në Kuba, për herë të parë prej më shumë se gjysmëshekulli, sipas një drafti të rregullave të reja të mësuara prej “Reuters”.

Rregullorja do ta bëjë më të lehtë për kompanitë ajrore dhe anijet tregtare të importojnë pjesë apo teknologji për të përmirësuar sigurinë në Kuba; do të heqë kufizimet për eksportet e programeve kompjuterike; si dhe do t’u lejojë kompanive të autorizuara të krijojnë filiale me Kubën, kryesisht përmes “joint ventures” me firmat kubaneze, si për shembull ajo e telekomunikacionit “Etecsa”, shtetërore dhe në situatë monopoli në vend.

Gjithsesi, rregullorja nuk i autorizon firmat financuese private të tregtisë, as nuk i ndryshon rregullat aktuale që përcaktojnë se kush mund të udhëtojë drejt Kubës. Por këto rregulla mund të modifikohen e përmirësohen në të ardhmen e afërt nga agjencitë e ndryshme.

Për të gjitha këto raporte nuk ka pasur ende komente nga administrata e Presidentit Barack Obama.

Top Channel