Siri, forcat qeveritare kryejnë sulme në Palmira

19/09/2015 05:40

Të paktën 26 persona kanë mbetur të vdekur nga sulmet e fundit ajrore të qeverisë siriane në qytetin e Palmirës, që kontrollohet nga militantët e Shtetit Islamik.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë të ditur se mes viktimave në Palmira ishin edhe 12 militantë të ISIS. Sulme nga ajri ka pasur edhe në qytetin e Idlibit ku janë vrarë 17 persona. 

ISIS mori kontrollin e plotë të Palmirës në muajin maj, ndërsa Idlib është një bastion i një aleance të grupeve xhihadiste.

Ditën e enjte, një zyrtar i ushtrisë siriane bëri të ditur për “Reuters” se forcat e qeveritare kanë nisur menjëherë nga përdorimi i armëve të reja kundërajrore dhe tokësore, me të cilat është furnizuar nga Rusia. Ndërsa të premten, ministrat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë zhvilluar bisedimet e para në lidhje me konfliktin në Siri, ka bërë të ditur Pentagoni.

Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter ka folur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu mbi mundësinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Top Channel