Emigrantët tentojnë sërish të kalojnë përmes Sllovenisë dhe Hungarisë

19/09/2015 10:35

Mijëra emigrantë të bllokuar në Kroaci po tentojnë sërish lëvizjen drejt Veriut megjithëse Sllovenia dhe Hungaria e kanë treguar qartë se do t`i ndalojnë. Mbrëmjen e së premtes, policët sllovenë nuk patën asnjë ngurrim të përdornin gaz lotsjellës mbi një grup refugjatësh që përpiqeshin të kalonin nga vendi fqinj.

Kroacinë, Hungaria e akuzoi për shkelje të ligjit ndërkombëtar pasi autoritetet atje vendosen t’i dërgonin azilkërkuesit përtej kufirit pa i regjistruar më parë. Zagrebi në fillim tha se të ardhurit ishin të mirëpritur, por kur që prej të mërkurës, numri i emigrantëve që hynë në tokën kroate mbërriti në 17.000, atëherë ai i mbylli të gjitha pikat kufitare, duke lënë hapur vetëm autostradën kryesore që lidh kryeqytetin kroat me atë serb.

Thellësisht e përçarë përballë krizës së emigrantëve, BE-ja mban javën që vjen një tjetër raund bisedimesh urgjente. Ministrat e Brendshëm të bllokut takohen të martën në përpjekjen e radhës për gjetjen e gjuhës së përbashkët sa i takon sistemimit të këtyre njerëzve sipas një skeme kuotash të detyrueshme për secilin vend anëtar.

Një ditë pas tyre, liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në një samit të jashtëzakonshëm mbi emigracionin. Në ftesën e drejtuar udhëheqësve të bllokut, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk e cilësonte ngërçin e krijuar “një test për humanizmin dhe përgjegjshmërinë e Europës, ndërsa pohonte se emigracioni do të mbetet një sfidë e vërtetë edhe për shumë vite në vijim”.

Mediat britanike ndërkohë ngrenë një shqetësim që mbështetet sipas tyre, tek të dhënat e vetë BE-së. Katër në pesë refugjatë që kërkojnë azil në Europë, nuk janë nga Siria. Në muajt prill, maj dhe qershor, Bashkimi Europian regjistroi 213.000 të ardhur, por vetëm 44.000 prej tyre i largoheshin konfliktit të përgjakshëm sirian.

Të tilla shifra, kundërshtarët e pranimit të emigrantëve i përdorën menjëherë në mbështetje të argumenteve të tyre. Është një gënjeshtër e madhe, thonë ata, që dëshmon se pjesa dërrmuese e të shpërngulurve nuk janë aspak refugjatë politikë, por thjesht ekonomikë, që vijnë në Europë me shpresën e një jetese më të mirë.

Top Channel