Emigrantët përçajnë Hungarinë

19/09/2015 10:55

Edhe pse duket shumë e vendosur në vendimet e saj, ndasi të thella për emigrantët ka edhe në Hungari. “Luftë në të gjithë frontet”, ishte titulli i madh i të përditeshmes konservatore “Magyar Nemzet”, një referim ky sa ndaj betejës së refugjatëve të dëshpëruar me forcat e rendit, aq edhe ndaj izolimit të thelluar diplomatik të vendit.

Csaba Lukacs, pena kryesore e gazetës, flet për një Hungari të mësyrë nga myslimanë të rinj, nga ata që qëllojnë me gurë. “Kufijtë hungarezë, janë rrethuar nga njerëz që mendojnë se kanë të drejtën themelore njerëzore të marshojnë në të gjithë Europën pa dokumenta”, shkruan ai.

Në Hungari, shumë ndajnë të njëjtin mendim me të. Por, jo të gjithë. “Jam i lumtur që mbaroi. Policia veproi, nuk kishte ç`të bënte,  por sërish, për familjet me fëmijë më vjen keq. Kur erdhën deri këtu nuk patëm ne mundësi t’i ngjisnim nëpër trena e t`i dërgonim jashtë vendit, ku ata ku donin të shkonin”, u shpreh një fermer i zonës së Roszkes-s, Zoltan Varga.

Gazeta e qendrës së majtë, “Nepszabadsag” e kishte veshur në sarkazëm shkrimin e vetë kryesor. “Kombi i fuqishëm hungarez tani mund të marrë lirisht. S`kemi për çfarë shqetësohemi më. Tani të vazhdojmë jetën e peëditshme të rrethuar nga tela me gjemba dhe emigrantë të vuajtur”, shkruan ajo.

Qeveria e Viktor Orbanit i ndjek me ankth anketat e opinionit për çdo shenjë të mundshme përmirësimi të popullaritetit që tetorin e kaluar ra në mënyrë drastike.

Një faktor i rëndësishëem në mënyrën e ashpër të trajtimit të krizës së refugjatëve ka luajtur humbja e një milion simpatizantëve si dhe ngritja e partisë radikale nacionaliste Jobbik, që ndan me Fidesz-in, e madje dhe i përforcon retorikat anti-emigrantë.

Top Channel