Superiorja, java e sfidave të rëndësishme

19/09/2015 00:00

Java e katërt e kategorisë Superiore mund të cilësohet si java e sfidave të rëndësishme. Partizani-Kukësi dhe Skënderbeu-Tirana janë përballjet që kanë vëmendjen më të madhe për këtë raund të kampionatit shqiptar të futbollit.

Sot (e shtunë) do të luhet sfida mes Partizanit dhe Kukësit, me skuadrat që vijnë në këtë sfidë me synimin për ta fituar atë. Skuadra e “të kuqve” pas 3 javëve të para ka grumbulluar 7 pikë, ndërkohë që Kukësi ka 1 më pak duke lënë të kuptohet se kjo ndeshje do të jetë vërtetë e fortë.

Po sot (e shtunë) do të luhet edhe ndeshja mes Teutës dhe Tërbunit. Durrsakët do të kërkojnë të harrojnë menjëherë humbjen e pësuar nga Kukësi në javën e tretë dhe ndaj skuadrës pukjane do të kërkojë të marrë maksimumin.

Ditën e diel do të luhen 2 ndeshje të tjera të kategorisë Superiore. Flamurtari do të luajë ndaj Vllaznisë. Skuadra vlonjate ka vetëm 1 pikë në 3 ndeshje dhe përballë publikut të saj do të synojë të marrë fitoren e parë në kampionat.

Sfida tjetër e kësaj dite është ajo mes Laçit dhe Bylisit. Për sa i përket supersfidës tjetër të kësaj jave në Superiore,  Skënderbeu-Tirana, ajo do të luhet ditën e hënë për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në Europa League.

Top Channel