Volkswagen në F1, pritet akordi me Red Bull në 2018

19/09/2015 00:00

Grupi Volkswagen ka shumë të ngjarë të jetë në Botërorin e Formula 1 në të ardhmen. Sipas Edi Jordan, aktualisht komentator në rrjetin televiziv BBC, pronari i Red Bull, Diter Mateshitz ka zhvilluar një vizitë të fshehtë në ambienet e kompanisë gjermane të prodhimit të makinave për të nisur bisedimet në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Red Bull.

Prej kohësh është folur për një përfshirje të Volkswagen në Botërorin e Formula 1. Vetëm përpara disa javësh u fol për mundësinë e nisjes së një bashkëpunimi mes skuadrës austriake dhe Audit, zëra këto që u përgënjeshtruan me forcë nga drejtuesit e grupit Volkswagen.

Megjithatë duket se të vërtetat nuk mungojnë në këtë pikë dhe marrëveshja pritet të jetë për vitin 2018. Kjo për faktin se Volkswagen i duhet koha e mjaftueshme për të dizejnuar dhe ndërtuar një motor për Red Bull.

Ndërkaq, Red Bull gjatë 3 viteve të ardhshme deri në momentin e nënshkrimit me Volkswagen, do të marrë pjesë në Botërorin e Formula 1 duke përdorur motorët Ferrari.

Top Channel