Kubë, vazhdojnë përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut

19/09/2015 12:25

Havana dhe qytete të tjera të Kubës janë në ethet e përgatitjeve për mbërritjen e Papa Françeskut. Në kryeqytet, rrugët po shtrohen dhe katedra është duke u rinovuar. Sheshi ikonë i revolucionit ku kreu i kishës katolike do të kremtojë të dielën një meshë të hapur, gelon nga punëtorët po ngrenë aty një altar gjigand dhe një tribunë të improvizuar për kongregacionin dhe korin.

Papa argjentinas do të qëndrojë 4 ditë në Kubë përpara se të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo është e para vizitë e tij në të dy vendet ish-armike të betuara që sot i kanë shkrirë akujt dhjetëra vjeçare mes tyre.

Vatikani deklaroi dy ditë më parë se shpreson që vizita e Françeskut të ndihmojë në heqjen e embargos së Shteteve të Bashkuara e të çojë nga ana tjetër edhe drejt një përmirësimi të lirive dhe të drejtave të njeriut në vendin komunist.

Papa vetë e ka lavdëruar shpirtin kuban të pathyer përballë mjerimit. “Më bën të ndihem mirë dhe më ndihmon shumë të mendoj për besimin tek Zoti kur shoh frymën me të cilët përballoni vështirësitë e çdo dite që kalon”, tha Ati i Shenjtë në mesazhin e transmetuar nga televizioni shtetëror kuban.

Nuk është një rastësi edhe vendimi i tij për të udhëtuar drejt Uashingtonit, pasi të lërë Havanën. Zbutja e marrëdhënieve të urrejtjes mes dy vendeve këto muajt e fundit i detyrohet pjesërisht edhe ndërmjetësimit të tij, që pati peshë të madhe në kryeqytetet përkatëse.

Të premten, Shtetet e Bashkuara njoftuan lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit dhe biznesit me Kubën, hapi më i fundit ky që Barack Obama hedh drejt përmirësimit të relatave dypalëshe.

Top Channel