Kur të ishe e shëndoshë, ishte në modë

19/09/2015 00:00

Me një industri dietash që vetëm në Mbretërinë e Bashkuar llogaritet në 2 miliardë paund, sot është thuajse e pamundur të imagjinohet një botë ku të jesh i dobët, konsiderohet diçka e keqe.

Por, mesazhe publicitare të botuara në revista e gazeta nga viti 1908 deri në 1984, tregojnë se jo shumë kohë më parë, linjat e mbushura ishin preferenca absolute për femrën.

Gratë dhe vajzat atëherë frymëzoheshin që të merrnin kile, ndoshta po aq intensivisht sa çu tregohet sot se duhet të humbin në peshë. Masa zero, dikur ishte e papranueshme, për këtë arsye, reklamat e kohës promovonin produktet për shëndoshje të shpejtë sepse vetëm me ca kile më tepër do të kishe një trup më joshës e madje edhe më shumë miq.

“Të kanë lënë jashtë qejfeve të plazhit sepse je shumë e dobët? Nuk ke pse të ndihesh e palumtur dhe e përjashtuar nga shoqëria për shkak se je kockë e lëkurë. Me koncentratin e vitaminave ‘Super Wate-On’ do shtosh ca kile të shëndetshme e mish të fortë; do dukesh më mirë, do ndihesh më mirë, e do kesh edhe më tepër energji”

Si për të treguar se për çfarë bëhet fjalë, kjo reklamë e pak dekadave më parë, e shoqëron tekstin shpjegues të përmbajtjes së produktit me fotografitë e disa modeleve të shëndetshme, por jo të dhjamosura.

“Mos i lini t`iu quajnë thatime”, është njëri nga sloganet më interesante. “Jepjani këtë kupon të Nutrament-it mikeshës tuaj të dobët. Ka nevojë të marrë ca kile”, thotë një tjetër.

“Vështirë ta besosh që dikur më quanin ‘thatanike’, lexohet në një botim të hershëm që tregon një vajzë të re me linja të rregullta e dy djem në cep të faqes poshtë të cilët e shohin plot admirim.

Shumë prej publikimeve të kohës pasqyrojnë një bindje të përgjithshme se femrat ishin të dobëta, pasi nuk ushqeheshin mirë.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel