Alonso-McLaren drejt ndarjes

19/09/2015 00:00

Aventura e Fernando Alonsos te McLaren mund të përfundojë shumë shpejt. Sipas asaj që publikohet në mediat spanjolle, piloti asturian ka përfshirë në kontratën me skuadrën britanike një klauzolë që ka të bëjë me paraqitjet në pistë të McLarenit.

Sipas kësaj klauzole, Alonso ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës me skuderinë nga Uoking nëse ajo nuk do të jetë në gjendje t’i vërë në dispozicion një makinë kompetitive.

Media spanjolle shkon edhe më tej. Sipas saj tashmë interes për Fernando Alonson ka shfaqur Red Bull. Kjo e fundit kërkon ende zëvendësuesin ideal të Sebastian Vettel dhe iberiku duket zgjidhja më e mirë.

Skuadra austriake nuk do ta kishte aspak problem që të zgjidhte menjëherë çështjen e klauzolës së kontratës së Alonsos.

Ndërkaq, te McLaren, Ron Dennis e ka mohuar ekzistencën e një klauzole të tillë, por dyshimet gjithsesi nuk mungojnë. Ajo që ngjall më shumë kurreshtje në këtë pikë është nëse Alonso kalon te Red Bull do të drejtojë një makinë me motor Ferrari duke parë se kokëkuqja do të zëvendësojë Renault si furnizues me motorë të skuadrës auustriake.

Sigurisht, për momentin e gjithë kjo histori është në kuadrin e hipotezës, por merkatoja e Formula 1 na ka mësuar me surpriza të mëdha, kështu që gjithcka mund të ndodhë.

Top Channel