Dita pa makina, dhjetëra fëmijë pedaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

19/09/2015 15:50

Dhjetëra fëmijë të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre kanë pedaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” këtë të shtunë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka qenë pjesë e këtij aktiviteti të quajtur “Kidical mass”, një nismë që synon pedalim të këndshëm e të sigurtë për fëmijët.

“Në  qoftë se një qytet nuk mendon për fëmijët e vetë, mënyrën se si shkojnë në shkollë, se si rriten, se si thithin ajrin dhe në qoftë se nuk jemi të ndërgjegjshëm, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë nga historia. Më vjen mirë që dhjetëra fëmijë janë sot për ‘Kidical mass’, që është një lojë fjalësh për “Critical mass” që është masa kritike e atyre që pedalojnë dhe bllokojnë bulevardin. Sot do ta bllokojmë me fëmijët se e atyre është e ardhmja dhe qyteti ynë”, deklaroi Veliaj.

Më 22 shtator, në Tiranë do të zhvillohen 22 aktivitete pa makina, çka do të sjellë bllokimin e rrugëve kryesore deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

“Më 22, 22 aktivitete deri në orën 22:00. Kjo do të thotë që Tirana nga ora 06:00 deri në orën 22:00 do të jetë totalisht e bllokuar brenda unazës së vogël. Qyteti do të pushtohet nga ata që duan të hecin, që duan të pedalojnë. 364 ditë në vit qytetin e pushtojnë makinat, një ditë do ta pushtojnë njerëzit”, vijoi kreu i Bashkisë Tiranë.

Veliaj tha se Tirana nuk është ende gati për pedalim, pasi kërkohen investime në korsi të dedikuara për biçikletat, por duhet të kemi hapësira edhe për këmbësorët dhe për makinat.

Top Channel