Kosovë, opozita mbledh firmat kundër asociacionit; reagon Mustafa

19/09/2015 16:45

Brenda 24 orëve, opozita në Kosovë ka arritur të mbledhë afro 18 mijë firma të qytetarëve të cilët në këtë mënyrë shprehen kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes për përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Shifra bëhet e ditur nga lëvizja Vetëvendosje, ndërsa pika të tjera ku qytetarët mund të hedhin firmat janë vendosur në kryeqytetin kosovar dhe qendra të tjera.

Ndaj kësaj situate reagoi të shtunën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai kritikoi opozitën dhe një pjesë të shoqërisë civile, se për arsye politike dëshirojnë që të gjithë përgjegjësinë t’ia faturojnë atij si kryeministër për parimet e përgjithshme për asociacionin.

Mustafa kujtoi se Kuvendi i Kosovës në 2013-n aprovuoi ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëare, në të cilën parashikohet edhe krijimi i asociacionit.

“Prej 88 deputetëve sa kanë votuar, 84 kanë votuar pro këtij ligji, 3 kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar”, shkroi Mustafa në Facebook, duke theksuar se 8 prej tyre kanë qenë deputetë të AAK-së.

“Ata që sot kërkojnë të tërhiqet marrëveshja duhet ta dinë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion me ratifikimin me ligj të Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare. Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të kësaj marrëveshjeje kërkojnë moszbatim të ligjit. Dhe, rrjedhimisht, të drejtën për për të kërkuar moszbatim të ligjit nuk e ka askush në këtë vend”, vijoi më tej Mustafa.

Ai kërkoi nga opozita që të ketë qasje konstruktive në këtë çështje, pasi ligji vlen për të gjithë. Ai thkesoi se gjithçka është bërë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën, edhe pse fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.

Top Channel