Refugjatë sirianë në Shqipëri? Kërkohet strehimi i 3 mijë personave

19/09/2015 19:30

Qeveria shqiptare ka nisur përgatitjen për pritjen e refugjatëve sirianë nëse një gjë e tillë do t’i kërkohet në ditët në vijim nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Rrefugjatët, UNHCR.

Dy burime qeveritare, në kushtet e anonimatit, i thanë Top-Channel se disa ditë më parë, gjatë një takimi me 7 ministra, zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka kërkuar ngritjen e një mekanizmi për të marrë masat në kushte nevoje.

Ndërkohë, të hënën, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, pritet ngritja e një komiteti ndërministror, i cili do të koordinojë punën nëse vëndit tonë do t’i kërkohet pritja e emigrantëve. Ky komitet do të shikojë mundësinë e kapaciteteve strehuese për sirianët.

Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare vjen pas disa takimeve të përfaqësuesve të UNHCR-së, të cilët gjatë bisedimeve me zyrtarët shqiptarë kanë hedhur idenë për strehimin në Shqipëri të 3.000 deri në 4.000 emigrantëve nga vendi i udhëhequr nga Bashar al Assad.

UNHCR gjithashtu mësohet të ketë kërkuar që Shqipëria të shërbejë edhe si një bazë regjistrimi për refugjatët. Burimet qeveritare janë të rezervuara të thonë nëse kryeminisri Rama është ka rënë dakord me këto kërkesa.

Kërkesat e UNHCR-së dhe vetë BE-së ndaj Shqipërisë vijnë në një kohë kur situata në kufirin kroat mund të dalë jashtë kontrollit nga tejmbushja me refugjatë, të cilët mundohen të udhëtojnë përmes vendeve të Bakllkanit.

Ndërkohë, burimet nuk i mohuan Top-Channel mbajtjen e bisedimeve me UNHCR-në për mundësinë e strehimit të një numri refugjatësh, por thanë që deri më tani nuk ka asnjë angazhim për ta pranuar këtë nga qeveria shqiptare.

I pyetur nga televizioni amerikan, CNN për këtë çështje ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati është përgjigjur: “Nuk ka negociata e si pasojë nuk ka marrëveshje”.

Top Channel