Përplasja Presidencë-Qeveri, Bushati liron pa dekretin e Nishanit ambasadorin tonë në OSBE

19/09/2015 19:55

Rikthehet sërish në debat publik konflikti Presidencë-Qeveri, për arsye të njohura edhe më parë, atë të ambasadorëve. Këtë herë rasti ka marrë më shumë vëmendje për shkak se bëhet fjalë për ambasadorin e Shqipërisë në OSBE, organizatë që është bërë protagoniste kohët e fundit për shkak të publikimit në media të një dokumenti të hartuar prej saj për politikanët kryesorë shqiptarë.

Ky moment, mesa duket është shfrytëzuar për të bërë publik një letër të Ministrisë së Jashtme për fillimin e procedurave të lirimit të tij nga detyra.

Shkresa, që i është dërguar nga dikasteri i diplomacisë ambasadorit Spiro Koçi 9 ditë më parë, ku e njofton atë për rikthimin në Tiranë me një tjetër detyrë, nuk komentohet zyrtarisht nga Presidenca, megjithë insistimin e TCH për të kërkuar një reagim mbi këtë lëvizje të Ministrisë së Jashtme.

Jozyrtarisht institucioni i Presidencës ndan bindjen se është antiligjore dhe marrje e kompetencave të Bujar Nishanit nga Ditmir Bushati.

Por në këtë histori tjetër konflikti mes Presidencës dhe Qeverisë, Nishani nuk është njohur as sot e as 9 ditë më parë, kur mund të jetë vënë në dijeni nga ambasadori Koçi për shkresën e lirimit të tij nga detyra.

Si i dërguari i Shqipërisë në Vjenë, Spiro Koçi bën plot 5 vjet në krye të këtij misioni, duke tejkaluar jo vetëm parashikimin prej 3 vjetësh të ligjit të ri të shërbimit të jashtëm, por edhe rregullin e ligjit të vjetër prej 4 vjetësh në krye të një misioni diplomatik.

Në përmbyllje të këtij afati presidenti i Republikës është njohur me kërkesën e parë qeverisë shqiptare për lirimin e Spiro Koçit nga detyra në datën 23 janar 2015, ku paralelisht Nishanit i është çuar edhe propozimi për Ravesa Lleshin si pasuesja e tij në postin e kreut të misionit diplomatik në OSBE.

Këtij propozimi të Edi Ramës, Bujar Nishani nuk i është përgjigjur, çka ka qenë arsyeja që presidentit i është çuar një tjetër shkresë rikujtuese në prill.

Me hyrjen në fuqi edhe të ligjit të ri për shërbimin e jashtëm, prej kreut të qeverisë shqiptare iu përsërit presidentit kërkesa për lirimin e Spiro Koçit nga detyra në korrik të këtij viti.

Kërkesa që në bazë të këtij ligji detyron kreun e shtetit të lirojë ambasadorin 30 ditë nga propozimi i kryeministrit nuk ka marrë sërish përgjigje nga Bujar Nishani, duke lënë ambasadorin Koçi në detyrë e duke ngritur pikëpyetjen për zbatimin e ligjit nga ana e presidentit të Republikës.

Pas tejkalimit të këtij afati ligjor nga presidenti, Ministria e Jashtme nis përmes shkresës së saj procedurat e lirimit të Spiro Koçit, bazuar në nenin 42 për ligjin e shërbimit të jashtëm.

Ky nen i jep të drejtë ministrit të Jashtëm të urdhërojë mbarimin e parakohshëm të funksionit ose transferimin e kreut të misionit diplomatik për një sërë arsyesh, ku në rastin e Spiro Koçit baza është pika “C” e nenit “Për nevoja pune të Shërbimit të Jashtëm”.

Mbi këtë argumentim Ministria e Jashtme thotë se shkresa dërguar Koçit është plotësisht në përgjigje të nevojave të Shërbimit të Jashtëm. Por praktika e përdorur nuk është e re në diplomacinë shqiptare.

E njëjta procedure është përdorur nga Lulzim Basha kur ishte ministër i Jashtëm në 2008-n, as më shumë e as më pak, por pikërisht për Spiro Koçin, një vit e gjysmë nga marrja e detyrës si ambasador në Beograd në atë kohë, duke bërë të njëjtën kërkesë edhe Gazmend Turdiut, që në atë vit ishte në krye të misionit tonë diplomatik në Berlin.

Me të njëjtën përmbajtje të përdorur edhe sot nga ministria e Jashtme, dikasteri i drejtuar nga Basha në atë kohë vinte në dijeni ambasadorët Koçi dhe Turdiu për lirimin nga detyra për një tjetër post që do t’u komunikohej në një moment të dytë.

Por në atë kohë, kur president ishte Bamir Topi, procedura e lirimit, që sot po cilësohet marrje e kompetencave nga kreu i shtetit, u pranua nga ambasadori Koçi vetëm pas një viti e gjysmë në krye të shërbimit në Beograd dhe nuk u kthye në debat publik për të njëjtin diplomat prej 5 vjetësh në krye të përfaqësisë sonë në OSBE.

Top Channel