Grekët vendosin sot për qeverinë Tsipras: Nga nesër, një ditë e re

19/09/2015 00:00

Alexis Tsipras, majtisti i apasionuar grek që humbi betejën e ashpër me Europën për t’iu dhënë fund masave të ashpra shtrënguese kundër vendit të tij, synon rizgjedhjen këtë të dielë, vetëm një muaj pasi dha dorëheqjen si kryeministër i vendit.

Partia e tij Syriza është përfshirë në një betejë të ashpër me konservatorët e “Demokracisë së Re” të udhëhequr prej Vangelis Meimarakis, i cili e akuzon Tsiprasin për paaftësi në përballjen me huadhënësit ndërkombëtarë, të cilët po bënin gjithcka për të shpëtuar vendin e mbytur nga borxhet.

Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 6 të mëngjesit (7 me orën greke), teksa rreth 10 milionë grekë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat priten të përfundojnë më 18:00 (19 me orën greke) të pasdites dhe rezultatet e para të projektuara priten rreth orës 20 të mbrëmjes.

“Jam optimist se nesër fillon një ditë e re, një ditë që mund ta fitojmë që sot. Vështirësitë do të kapërcehen me hapa të qëndrueshëm, të vetëdijshëm për rrugën që duhet të bëjmë përpara. Jam optimist, që ne mund të ecim përpara, duke hapur rrugë të reja, e kemi vërtetuar se mund të hapim rrugë të reja edhe aty ku nuk ekzistojnë. Kur populli ynë është në vijën e parë, brezi i ri gjithashtu, atëherë gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-kryeministri Tsipras.

Sondazhet tregojnë se Tsipras vijon të ketë kryesimin, por është shumë pranë me rivalin e tij Meimarakis, saqë edhe një fitore e këtij të fundit mund të mos përbëjë surprizë. Megjithatë, asnjëra prej këtyre partive nuk pritet të sigurojë rreth 38% të votave, të mjaftueshme për të pasur shumicën absolute në Parlamentin me 300 vende.

Kjo do të thotë se, kushdo që do të sigurojë më shumë vota, ashtu sikurse dhe 50 karriget bonus që i shtohen rezultatit, kreu i asaj force politike do të duhet të formojë një koalicion qeverisës, me shumë mundësi me një – ose të dyja bashkë – prej partive të vogla të qendrës “To Potami” apo socialistët e PASOK-ut.

Zgjedhjet janë duke u vëzhguar me interes të madh nga jashtë Greqisë, sepse fituesi i tyre duhet të sigurojë ndërmarrjen e reformave të thella ekonomike, të domosdoshme për ndihmën prej 86 miliardë eurosh, që Tsipras u detyrua të nënshkruante në gusht me partnerët e Athinës nga Eurozona.

Qeveria e re do të duhet të kryejë edhe rikapitalizimin e bankave të vendit dhe të vijojë me kontrollin e kapitalit të vendosur gjatë qershorit, në mënyrë që të shmanget një kolaps i sistemit financiar të vendit. Si Syriza, edhe “Demokracia e Re” janë angazhuar se do t’i ndërmarrin këto hapa, por dallimi mes tyre është te përmasat e këtyre reformave, ku më kryesorja është ajo e punësimit.

Kjo votë e kësaj të diele shënon herën e tretë brenda këtij viti që grekët detyrohen të shkojnë në qendrat e votimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të janarit, që sollën Tsiprasin në pushtet, si dhe referendumit të korrikut, për të pranuar ose jo marrëveshjen e re të shpëtimit dhe masat shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian.

Top Channel