Të majtët e Syrizas dhe rivalët kryesorë të tyre në këto zgjedhje, Demokracia e Re, kanë qenë kokë më kokë në sondazhet përpara se të hapeshin kutitë e votimit këtë të dielë, duke e bërë thuajse të pamundur shpalljen e një fitues të qartë.

Greqisë i nevojitet qëndrueshmëri politike për të implementuar kushtet e paketës së re të shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, si dhe për të shmangur rikthimin drejt situatës buzë greminës apo daljen e mundshme nga Eurozona.

Ja disa nga skenarët e mundshëm politik, koalicionet dhe rreziqet që ato bartin.

Koalicioni i gjerë; Syriza bashkëqeveris me Demokracinë e Re

Një aleancë e tillë do të siguronte një shumicë parlamentare tepër të fortë në Parlamentin prej 300 vendesh, i ndihmuar edhe nga sistemi elektoral që i jep 50 vende ekstra partisë së parë në zgjedhje. Kjo do të kënaqte padiskutim huadhënësit e Greqisë, të cilët në të kaluarën kanë kërkuar angazhim nga udhëheqësit politikë për marrëveshjet e ndihmës. Gjithsesi do të jetë shumë e vështirë. Kreu i “Demokracisë së Re”, Vangelis Meimarakis ka bërë të ditur se është i hapur për një aleancë të tillë, nëse kjo do të jetë mundësia e fundit për të shpëtuar vendin e goditur prej vitesh nga kriza. Sipas tij, nevojitet bashkëpunimi më minimal për të formuar një plan qeveritar, ndërkohë që ka bërë thirrje edhe për një ekip negociator kombëtar. Por, ai akuzon Syrizan për “paaftësi” në përballimin e krizës. Nga ana tjetër, Tsipras, i cili ka hasur vështirësi të mbajë pas vetes të majtët e pakënaqur dhe votuesit e qendrës së majtë, tha se kjo do të ishte një “aleancë jonormale”. Ai e akuzon “Demokracinë e Re” si pjesë e një sistemi të korruptuar politik, që ka dhënë kontributin e vetë drejt krizës së borxheve të Greqisë.

Ndarja e “faturës”; “Demokracia e Re” ose “Syriza” me Potamin dhe PASOK-un

Një aleancë me vetëm njërën prej dy partive të tjera më të vogla, ajo e qendrës “To Potami” apo ajo e socialistëve të PASOK-ut, mund të jetë një rrugëzgjidhje por varësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Megjithatë, krerët e dy forcave kryesore kanë bërë thirrje për një partneritet më të gjerë për shkak të qëndrueshmërisë së nevojshme politike në vend, ndaj dhe koalicioni më i mundshëm do të ishte me të dyja këto parti së bashku. E sigurt është se rreth 38 për qind e votave do të duhen për një nga partitë e mëdha që të sigurojnë një mandat qeverisës me shumicë absolute në Parlament. Meimarakis ka bërë të ditur se “Demokracia e Re” do të bashkëpunojë me partitë proeuropiane, nëse Syriza do të refuzojë ofertën për koalicion, duke lënë të nënkuptohet koalicionin me PASOK-un dhe To Potamin. Edhe Tsipras e ka lënë një derë të hapur për një koalicion të tillë, pavarësisht se i akuzon partitë më të vogla për lidhje me interesa vetjake.

Përsëritje e qeverisë së fundit; Syriza me “Grekët e Pavarur”

Syriza duket se është e gatshme të futet në koalicion me partnerin e vjetër, “Grekët e Pavarur”, të cilët kanë refuzuar gjithashtu një aleancë të mundshme me “Demokracinë e Re”. Por, sondazhet tregojnë se partia e krahut të djathtë mund të mos e kalojë pragun e 3 përqindëshit të votave, që nevojiten për t’u futur në Parlament. Një tjetër fakt është se as PASOK-u dhe as “To Potami” nuk dëshirojnë të jenë në aleancë me ta.

E fundit, zgjedhje të tjera

Askush nuk i dëshiron, për shkak se votuesit janë lodhur së tepërmi. Zgjedhjet e së dielës janë të tretat brenda këtij viti, pas atyre të janarit dhe referendumit të korrikut. Tsipras pritet të luajë kartën e “fajësisë” nëse do të duhen të tjera zgjedhje për t’u mbajtur. Sipas tij, “To Potami” dhe PASOK duhet të mbajnë përsipër përgjegjësinë e përsëritjes së zgjedhjeve, nëse kërkojnë që “Demokracia e Re” të bashkohet në koalicion me “Syriza”-n.

Top Channel