Austri, zbarkojnë mbi 13 mijë refugjatë sirianë

20/09/2015 12:40

Më shumë se 13 mijë refugjatë kanë zbarkuar në Austri, si destinacioni më i fundit për ta, pasi përdorën Kroacinë, Hungarinë dhe Slloveninë si vende tranzite.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, vetëm këtë fundjavë ka kaluar me 3 mijë persona kapaciteti i  refugjatëve, që qeveria e Vjenës kishte deklaruar më herët se mund të përballonte.

Vetëm nga kufiri hungarez kanë kaluar të paktën 6,700 njerëz. Qeveria e krahut të djathtë e Hungarisë është përballur me kritika ndërkombëtare, lidhur me përleshjet e dhunshme me emigrantët. Madje, këto tensione kanë shkaktuar edhe pakënaqësi mes shteteve fqinje.

Zagrebi, që njoftoi fillimisht se do të lejojë emigrantët të kalojnë lirisht, ndryshoi qëndrim dhe filloi transportimin e qindra refugjatëve drejt kufirit hungarez me autobusë dhe trena, duke shkaktuar një reagim të egër nga Budapesti.

Për këtë arsye, Hungaria ka akuzuar fqinjin e saj për kryerjen e një “shkeljeje të madhe të së drejtës ndërkombëtare”.

Ndërsa për deputetin e partisë laburiste të Britanisë së Madhe, David Miliband, Hungaria dhe Kroacia janë bashkëfajtore. Me tone të ashpra, ai ka akuzuar të dy vendet se janë angazhuar në një “garë armësh”, që deri diku sipas tij ka “tradhtuar historinë europiane”.

Por, teksa tensionet në rajon po shtohen, një lajm i mirë vjen për refugjatët nga Kanadaja e largët. Ministri kanadez i Emigracionit deklaroi se, vendi i tij do të strehojë 10 mijë refugjatë që vijnë nga Lindja e Mesme, një shifër krahasimisht e lartë për Kanadanë, e cila ndër vite nuk ka pranuar që numri i refugjatëve të rritet.

Kjo dëshmon se kriza e emigrantëve ka infektuar jo vetëm kontinentin e vjetër të Europës. Ministrat e Brendshëm të BE-së do të takohen përsëri të martën, pasuar nga një samit emergjent ditën e mërkurë.

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn tha se, blloku po mendon të caktojë një ndihmë “deri në një miliard euro”, për të inkurajuar refugjatët sirianë që të qëndrojnë në Turqi dhe të mos shpërndahen në Europë. Ndërkohë, Austria dhe Gjermania lëshuan një thirrje të përbashkët për vendet e OKB-së, që të kontribuojnë me 5 miliardë euro, për të ndihmuar refugjatët që jetojnë në kampet në Liban dhe Jordani.

Top Channel