Më në fund vjen vjeshta me reshje dhe temperatura të ulëta

20/09/2015 14:30

I nxehti afrikan që kaluam javën e fundit duket se tanimë do t’u lërë vendin reshjeve të shiut dhe temeraturave më të ulëta, duke bërë që të futemi realisht në stinën e vjeshtës me një mot më të freskët.

Të dhënat nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak tregojnë se, vendi ynë gjatë kësaj të diele do të përfshihet nga kalimi i një fronti të ftohtë verior, i cili do të sjellë reshje shiu me intensitet të lartë në ultësirën perëndimore, të shoqëruara me shtrëngata dhe stuhi.

Shpejtësia e erës parashikohet të jetë më shumë se 15 metra në sekondë, duke sjellë dallgë deri në 4-5 ballë, çka mund të shkaktojë probleme nëpër porte. Kjo masë ajrore e ftohtë pritet të sjellë dhe ulje të temperaturave maksimale me 4-5 gradë, të cilat gjatë së dielës do të shkojnë deri në 32 gradë në zonat e ulëta dhe bregdet.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, fillimi i javës tjetër, dita e hënë në pjesën e parë të saj do të shoqërohet me reshje shiu dhe vranësira, kryesisht në jug të vendit. Në mesditë pritet një përmirësim i motit, por temperaturat do të pësojnë një zbritje tjetër me dy gradë.

Sipas meteorologëve, dita e martë dhe ajo e mërkurë do të kenë sërish rënie të temperaturave me dy gradë celcius, ndërsa pritet të ketë përmirësim të motit. Paqëndrueshmëria e motit dhe reshjet, sipas parashikimeve, rikthehen ditën e enjte.

Top Channel