Festivali i Filmit Ballkanik

20/09/2015 00:00

Festivali i Filmit Ballkanik ka mbyllur edicionin e tij të 5-të në qytetin e Pogradecit, ku si çdo vit, juria ka dhënë vlerësimet e saj për më të mirët.

Pasi kanë ndjekur plot 100 filma dhe dokumentarë përgjatë një jave, anëtarët e jurisë kanë vlerësuar krijimet më të mira në disa zhanre të ndryshme.

Mbrëmjen e së shtunës, teksa janë hapur dyert e kinemasë së qytetit të Pogradecit, dhjetëra pjesëmarrës i janë bashkuar audiencës për të ndjekur shfaqjen e filmit shqiptar “Bota” dhe më tej ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Pas një gare artistike, ku këmbehen edhe vlerat e krijuesve ballkanas, filmi më i mirë i festivalit është shpallur filmi shqiptar “Bota”, me regji të Tomas Logorecit.

“E çmoj shumë këtë festival dhe punën që ka bërë Eno Milkani. Kultura e filmit, tashmë po ecën shumë mirë në Shqipëri. Ne kemi nevojë për më shumë festivale si ky i Pogradecit. Sa për mesazhin e filmit ‘Bota’, ai është një histori shqiptare, por besoj edhe një histori universale. Gjithkush mund të gjejë vetveten te ky film, i cili bën fjalë për drejtimet e ndryshme që marrin jetët e njerëzve”, tha Tomas Logoreci, regjisor dhe fitues i festivalit.

Në këtë mbrëmje nuk kanë munguar as të ftuarit e veçantë, të cilët kanë vlerësuar festivalin. Një grup përfaqësuesish nga gazeta gjermane “Der Spiegel”, të sjellë enkas për këtë festival nga presidenti i kompanisë së sigurimeve “Eurosig”, Kadri Morina, si një prej mbështetësve kryesorë të këtij festivali, e ka vlerësuar këtë aktivitet dhe artin që sjell ai.

“Është e rëndësishme që aktivitete të tilla të mbahen vazhdimisht, për të promovuar filmin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Shpresoj që vit pas viti, ky festival të rritet si nga pjesëmarrja, ashtu edhe nga vëmendja ndërkombëtare dhe promovimi”, tha Andrew Machaj “Der Spiegel”.

Festivali i Filmit Ballkanik ka ulur siparin për t’u rikthyer vitin tjetër, në edicionin e tij të 6.

Top Channel