Kosovë, qeveria e pavendosur për refugjatët

19/09/2015 17:15

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për pranimin e një numri të caktuar të refugjatëve sirianë, pasi aktualisht disponon vetëm një qendër të azilkërkuesve me kapacitet maksimal për 120 refugjatë.

Fitim Zariqi, i cili udhëheqë qendrën e azilkërkuesve që ndodhet në fshatin Magure të Lipjanit, ka treguar se gjatë vitit ka pasur 55 sirianë që kanë qëndruar aty dhe pastaj janë larguar në vende të tjera.

“Për momentin nuk kemi sirianë në qendër. Të gjithë ata që kanë qenë janë larguar nga qendra. Nuk dihet vendndodhja e tyre, sipas informatave që i kemi ata largohen në vendet perëndimore për një jetë më të mirë. Shumica e atyre që vijnë këtu, Kosovën e shfrytëzojnë si vend transit që të kalojnë në vende të tjera europiane që kanë ekonomi më të zhvilluar, sepse shpesh herë ankohen se nuk po munden të gjejnë punë këtu ose nuk janë pagat e mëdha edhe në rast se gjejnë punë”, deklaroi Zariqi.

Të alarmuar me numrin e madh të refugjatëve sirianë që po kalojnë afër kufijve të Kosovës për të shkuar në shtetet perëndimore, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur një grup punues i cili ka rekomanduar institucionet përkatëse për shtim të numrit të objekteve të tjera për azilkërkues.

Udhëheqësi i qendrës së azilkërkuesve ka treguar edhe për koston financiare që ka shteti për një refugjat.

“Një azilkërkues tani për tani kushton rreth 21 euro në ditë, këtu duke përfshirë të gjitha shërbimet që shkojnë në funksion të azilkërkuesit siç janë pakot higjienike, racioni ditor, veshëmbathje, rryma që harxhohet, uji, transporti, nafta, etj. të gjitha këto shkojnë në funksion të azilkërkuesve dhe e që qendra shpenzon gjatë një dite për një azilkërkues”, vazhdoi Zariqi.

Edon Myftari, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, tha se për shkak kushteve të rënda ekonomike Kosova nuk mund të pranojë refugjatë, përveç në raste emergjente.

“Kosova nuk është prekur nga kjo valë e refugjatëve të konfliktit në Siri. Kosova nuk e ka gjendjen ekonomiko-sociale që të përballojë një fluks të madh. Sido që të jetë, unë jam i bindur që si institucione do të jemi të gatshëm, me ato mundësi që kemi, t’u ofrojmë ndihmën vetëm nëse kemi refugjatë sirianë, që për momentin nuk kemi”, deklaroi Myftari.

Derisa qeveria nuk ka vendosur për pranimin e refugjatëve sirianë, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe shumë qytetarë të Kosovës, nëpër rrjeteve sociale, vazhdimisht bëjnë thirrje për të pranuar refugjatët në nevojë.

Top Channel