Seria A, Juventusi merr fitoren e parë, Roma ngec me Sassuolo-n

20/09/2015 17:15

Kampionët e Italisë, Juventusi më në fund ka marrë fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur 0-2 në transfertë Genoa-n.

Një autogol në minutën e 37 të pjesës së parë dhe një 11-metërsh i kthyer në gol nga francezi Paul Pogba i dhanë bardhezinjve 3 pikë mjaft të rëndësishme në Serinë A. Vlen për t’u theksuar se vendasit u detyruan të luanin një pjesë lojë me një lojtar më pak, pasi Armando Izzo u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 44-t. Me këtë fitore, ekipi i drejtuar nga Allegri shkon në kuotën e 4 pikëve, duke u ngjitur në vendin e 12.

Ndërkohë të dielën u luajtën edhe ndeshjet e tjera të Serisë A, ku Roma u ndal në “Olimpico” nga Sassuolo. Miqtë kaluan dy herë në avantazh, ndërsa Francesco Totti dhe Salah barazuan shifrat.

Me dy gola nga Quagliarella, Torino mposhti Sampdoria-n, duke marrë fitoren e tretë në kampionat në katër takimet e para dhe është ngjitur në vendin e dytë me 10 pikë, vetëm dy më pak se Interi kryesues.

Tre pikët të dielën i mori edhe Bologna, e cila mposht minimalisht 1-0 Frosinone-n. Ndërsa ndeshja mes Atalanta-s dhe Verona-s përfundoi në barazim 1-1.

Top Channel