Prishtinë, përplasen nga makina në stacionin e autobusit, 11 të plagosur

20/09/2015 19:55

Një aksident i rëndë që ka ndodhur para mbrëmjes në rrethrrotullimin kryesor në hyrje të Prishtinës, ku 11 persona kanë mbetur të plagosur rëndë, njëri prej të cilëve në rrezik për jetën.

Bëhet e ditur se me dhjetëra qytetarë në një stacion autobusi janë përplasur nga një makinë tip “Audi”, si dhe një tjetër tip “Volkswagen”. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ndërsa në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahati ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se në aksident janë përfshirë dy makina në një stacion, ku ka pasur këmbësorë tek po prisnin autobus.

“Nga personat e lënduar një është në rrezik, derisa viktimat janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet e mëtejme”, ka thënë Ahmeti.

Policia ka bërë të ditur se njëra prej automjeteve ka qenë duke lëvizur me rreth 120 kilometra në orë. Drejtuesi i këtij automjeti është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por më vonë ai i është dorëzuar policisë.

Top Channel