Pogba modest: Ende nuk e kam dhënë maksimumin

21/09/2015 11:25

Juventusi mposhti Xhenoan në fundjavë, duke regjistruar fitoren e parë në kampionatin italian për këtë sezon. Protagonisti i “Zonjës së Vjetër” në këtë ndeshje ishte padyshim Paul Pogba, i cili tashmë konsiderohet si lideri i ri i saj pas largimit të Pirlos, Vidalit dhe Tevezit, gjë të cilën Pogba nuk e pranon plotësisht.

“Duhet të jap ende maksimumin tim gjatë ndeshjes. Shokët e skuadrës dhe trajneri kanë besim te unë dhe nuk do t’i zhgënjej”, tha mesfushori francez.

Pogba shpjegoi edhe diferencën në lojë mes Juventusit të sezonit të kaluar dhe atij aktual, duke vënë në dukje se këtë vit te Juventusi po bëhet më shumë lojë kolektive.

“Pas largimit të 3 lojtarëve, tani u takon të gjithëve të marrin përgjegjësitë. Sezonin e kaluar Pirlo, Tevez apo Vidal ishin në gjendje që të bënin diferencën në një ndeshje, tani luhet më shumë si një grup i vetëm”, shtoi Pogba.

Top Channel