200 xhami për refugjatët, Gjermania refuzon ofertën saudite

21/09/2015 12:20

Oferta saudite për t’i ndërtuar 200 xhami refugjatëve në Gjermani, që të ndihen, siç thanë autoritetet e Mbretërisë së Gjirit Persik, sa më mirë në shtetin europian, ka marrë përgjigjen që shumëkush mund të priste.

“Çfarë deklarate cinike!”, ishte komenti i Andrea Scheuer, sekretarit të përgjithshëm të CSU-së bavareze, aleatja e ngushtë e Angela Merkel.

“Madje, është më shumë se aq. Kjo nuk quhet as vëllazëri myslimane. Ku është uniteti i botës arabe? Ky vend që bën oferta të tilla, përse nuk u ofrua më mirë t’i hapte dyert e t’i pranonte refugjatët e larguar prej konfliktit të përgjakshëm në Siri”, u shpreh ai.

Në një mendje me të ishte dhe Stephan Mayer, zëdhënësi i CSU-së dhe CDU-së së Merkel në Parlament për çështjet e brendshme.

“Gjermanisë nuk i nevojiten donacione për ndërtimin e 200 xhamive, i nevojitet solidariteti me refugjatët”, qenë fjalët e Mayer.

Propozimi saudit erdhi në kohën kur dhjetëra mijëra emigrantë të tjerë i janë drejtuar kufijve hungareze, shumica me destinacion final Gjermaninë, që këtë vit pret një dyndje prej 800.000 vetësh.

Shumë gazeta vendase shprehën zemërim e indinjatë me ofertën e bërë nga një vend ku praktikohet ende një formë ekstreme e islamit, e cila përfshin ndëshkime të paimagjinueshme për botën perëndimore, siç janë goditja me gurë, rrahjet me kamzhik, apo prerja e gjymtyrëve.

Oferta duket të jetë bërë nëpërmjet kanalesh diplomatike dhe për herë të parë, mbi të u fol në shtypin libanez nga fundi i javës së kaluar.

Top Channel