KLSH në MEI, audit performance për energjinë

21/09/2015 13:15

Qeveria nuk ka arritur të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, duke përdorur burime të rinovueshme.

Me këtë vërejtje i adresohet ministrisë së Energjise dhe Industrisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditi performance që kishte në qendër burimet alternative të energjisë. Raporti i KLSH vëren performancë të dobët në zbatimin e strategjisë kombëtare të energjisë për shkak të mungesës së financimeve buxhetore.

“Megjithëse Shqipëria ka kryer jo plotësisht përafrimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE-së dhe ka hartuar Draft-Planin Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficencës së Energjisë, nuk ka arritur të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në raport.

Në fund të raportit, Kontrolli i Lartë i Shtetit adreson marrjen e masave të menjëhershme nga ana e ministrisë së Energjisë në dy drejtime. Rekomandimi i parë i KLSH lidhet me nevojën për përditësimin e draftit për Burimet e Rinovueshme dhe miratimin e tij sa më të shpejtë, që Shqipëria të mos penalizohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Nga ana tjetër, KLSH i rekomandon ministrisë dhe AKBN-së të sigurojë miratimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë,duke ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike të vendit. Në raportin auditues të muajit shtator adresohen edhe 5 rekomandime të tjera që ky dikaster duhet t’i plotësojë deri në fund të vitit.

Top Channel